Bashkia Lezhë i shpall luftë shëmtisë, premtohet një sezon ndryshe në Shëngjin…

Bashkia Lezhë prej disa ditësh ka zhvilluar një aksion të kombinuar me qëllim pastrimin dhe lirim e hapësirave publike.

Sjellim këtu në vëmendjen e lexuesit se Shëngjinit i ka mbetur vetëm emri, pjesa tjetër e imazhit është bërë pis me tym qoftesh, erë kazanesh, ferra, shkurre, tela me gjëmba, tela pa gjëmba, llamarina e gjithfarësoj materialesh të cilat në gjysmën e rasteve shërbejnë për ndotje dhe në gjysmën tjetër si përcaktorë kufiri.

Beteja e Bashkisë e nisur ditët e fundit ka për të qënë e vështirë, do të duhet mençuri, durim e kompromis, për ta shpëtuar Lezhën nga vetvrasja e saj në Shëngjin.

Ne duam më të mirën për imazhin e qytetit tonë, për Shëngjinin, dhe përkrahim çdo nismë që i hap rrugën shfrytëzimit të potencialit maksimal të tij në turizëm e më gjërë.

Tjetër faktor që nuk duhet të lihet kurrsesi në harresë është ndoshta ai më i rëndësishmi: komuniteti vetë. Nëse nuk krijohet ndërgjegjësimi kolektiv që ndotësit, ata që e gjuajnë qeskën e mbeturinave nga kati i pestë duke shënjestruar koshin, kosovar/e apo shqiptar/e qoftë, duhet të bëhet objekt i turpërimit publik, duhet të tregohet me gisht nga çdo dëshmitar, dhe të sinjalizohet autoriteti përkatës. Kështu ndodh në të gjithë botën. Kështu duhet të ndodhë edhe në Shëngjin.

Fundja, kur vjen puna për imazhin e qytetit, të Lezhës, ne të gjithë, pa përjashtim të gjithë jemi Ambasadorë të tij, Ambasadorë të Lezhës, aq më tepër në sezon turistik, dhe këtu nuk është fjala vetëm për pastërtinë. Ose shpëtojmë të gjithë së bashku ose do të na ndodhë ajo që italianët e thonë aq saktë përmes frazës: “Affondarsi nella propria merda!”