Basha në Lezhë dhe mesazhet indirekte të kryebashkiakut Frrokaj

“Fitore… por do presim çfarë do thotë kryetari, të mos ngutemi!”, kjo ishte fraza e Frrokajt pas ngjitjes në podiumin e Pallatit të Kulturës mes brohorimave “Fitore, Fitore!” të sallës së tejmbushur që shpërthyen sapo kryetari i PD-së së Lezhës Z. Zef Gjoka e ftoi atë të merrte fjalën.

Si gjithmonë, për ata që e njohin, Frrokaj foli pak, por la të nënkuptohej shumë. Le t’i zbërthejmë një-nga-një disa prej këtyre mesazheve të koduara:

“Dua të garantoj zotin Basha se Partia Demokratike Dega Lezhë, dhe lezhjanët i nderuar zoti Basha, nuk do të bëjnë asnjë gabim në marrëdhënie me Partinë Demokratike të Lezhës”, u shpreh Frrokaj në fjalën e tij, duke na shtyrë të supozojmë se:

Fraza “nuk do të bëjmë asnjë gabim” nuk mund të intepretohet ndryshe veçse si një shprehje e besnikërisë së Frrokaj ndaj PD-së. Pra qartësisht, këtu Frrokaj po thotë se nuk ka ndërmend të futet në zgjedhje si i pavarur apo si kandidat i ndonjë partie tjetër.

Në këtë mënyrë Frrokaj deklaron se ka vendosur ta lidhë përfundimisht dhe pazgjidhshmërisht fatin e tij politik me atë të Z. Basha dhe të Partisë Demokratike.

“Lezha ka qënë, është, dhe do të jetë e demokratëve”, ka shtuar më tej Frrokaj duke lënë të nënkuptohet se fitorja e tij dhe e PD-së është e garantuar dhe se Lezha është bastion i të djathtës.

“Këto ditë, unë kam pas shumë ndërhyrje nga miq, si po bëjmë? Ku po bëjmë? Çfarë po bëjmë?… Ne po kërkojmë t’u japim shqiptarëve të drejtën kushtetuese, të jenë të barabartë përpara votës, e jo të detyruar, apo të forcuar drejt një opsioni të caktuar”, ka vijuar më tej kryebashkiakur Frrokaj duke lënë të nënkuptohej njëkohësisht që:

Fraza “të jenë të forcuar, të detyruar” punon në dy kahje, nga njëra anë nënkupton se nëse me 30 Qershor do të ketë zgjedhje do të thotë se mëkati bie mbi ta që i lanë rrugë të lirë drejt fitores kandidatit Ndreu dhe nga ana tjetër nënkupton se pikërisht për shkak se nuk janë të barabartë nuk do lejojnë të bëhen zgjedhje.

Shkurtimisht, na lind e drejta të hedhim supozimin se Frrokaj në mënyrë indirekte po i kërkonte zotit Basha të futet në zgjedhjet e 30 Qershorit.