Austriakët dhe Zviceranët hapin thesin, 323 milionë Lezhës dhe 394 milionë Mirditës

Që Bashkia e Lezhës nuk ka pasur ndonjëherë marrëdhënie më të mira me Qeverinë qysh prej kohës së Mbretëreshës Teutë është fakt tashmë, madje janë përhapur zëra se Edi Rama sapo sheh emrin e Pjerin Ndreut në ndonjë projekt, e firmos pa e lexuar fare.

Por që edhe ambasadat dhe agjensitë e organizatave të huaja që veprojnë në Shqipëri e kanë marrë me sy të mirë Lezhën u vërtetua dje kur u shpallën bashkitë fituese të projekteve nga RDPA.

Çfarë është RDPA?

Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri është një përpjekje e përbashkët dhe e vazhdueshme, në mbështetje të reformës së Zhvillimit Rajonal në Shqipëri, e bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Agjencia Austriake për Zhvillim, dhe e zbatuar në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë.

Projektet me pikët më të larta u përzgjodhën duke tejkaluar shumën totale në dispozicion të publikuar në thirrjen për aplikime (248,280,000 LEK pa tvsh).

Vlerësimi u bazua në parimet e konkurrencës së hapur, transparencës, trajtimit të barabartë dhe jo-diskriminimit, duke siguruar kështu një vlerësim të mirë justifikuar.

©RDPA

Projekti i prezantuar nga specialistët dhe projektuesit urban në Bashkinë e Lezhës mban titullin: “Përmirësim i aksesit dhe rritja e sigurisë në shëtitoren e Lumit Drin”, ka fituar grantin me vlerë 323 milionë lekë me afat zbatimi 12 mujor. Duke u renditur e 5-ta sa i takon shumës së akorduar në 11-en e bashkive fituese.

Kjo tabelë tregon me kokëfortësinë e faktit se jo vetëm që Lezhën e kanë marrë me sy të mirë, por edhe zotërinjtë që merren me urbanistikën dhe projektimet në Bashki janë të zotët e punës.

323 milionët e këtij projekti jo vetëm që do ta përmirësojnë dhe do t’i rikthejnë dinjitetin e bukurinë shetitores së Lumit Drin, por edhe parashikon ndërtimin e dy urave të tjera mbi të, çka do të risjellë ndër të tjera, një lehtësim të ndjeshëm të trafikut hyrës në qytet, pasi njëra prej urave do të ndërtohet pikërisht përballë Memorialit të Heroit Kombëtar.

Gjithashtu edhe Bashkia Mirditë është shpallur fituese e një projekti në infrastrukturë ekonomike me titull “Rehabilitim i Sistemit Ujitës në zonën Malaj – Tarazh” me vlerë 394 milionë lekë.

Të marrë sëbashku, në nivel Qarku, Bashkitë Lezhë dhe Mirditë, arrijnë vlerën 717 milionë lekë të përfituara nga granti duke u renditur të parët si Qark në rang Republike për nga shuma e akorduar nga granti zvicerano-austriak.