Ata janë në finale! Të rinjtë lezhjanë ‘lajnë hesapet’ për 30 minuta me kundërshtarin në Kamëz

Ata janë në finale. Me një etje të thellë për fitore, me grintë, dominim, shpejtësi dhe saktësi, Shimaj në minutën e 8-të, Gjoka në minutën e 27-të dhe Vuksani në minutën e 30-të të pjesës së parë e kanë çuar ekipin e Shënkollit në epërsi 3 – 0 ndaj Akademisë së Futbollit.

60 minutat e tjera të takimit u luajtën për statistikë, ndërsa FK Shënkolli drejtohet i sigurtë për finalen e Kategorisë Superiore ditën e Premte me 10 Korrik në “Selman Stërmasi”.

Puna e jashtëzakonshme e trajnerit Klajti Reçi me të rinjtë e ekipit lezhjan po jep rezultate spektakolare. Ata kanë ndërtuar një sistem koordinimi, sulmi dhe ndërtimi aksionesh që përfundojnë me goditje vrastare në rrjetën e kundërshtarit.

Tjetërsohen krejtësisht. Këta djem, kur zbresin në fushë, bëhen njësh me instinktin e duelit, të konkurrencës, egërsisë, sfidës, ashpërsisë dhe durimit të dhembjes prej lodhjes trupore. Këta djem janë mësuar t’i lajnë duart shpejt-e-shpejt me ata që u dalin përballë.

Në finale i pret një skuadër që ka emër të madh mbi supe. Janë të rinjtë shkodranë të Vllaznisë, dhe pyetja që ne kemi është kjo:  a do të munden të rinjtë e Vllaznisë të rezistojnë më shumë se 30 minuta ndaj Shënkollit?