Alfrida Marku-Bashkisë Lezhë: “Ku do t’i çoni 650 nxënës pas 3 javësh?”, Tabaku poston videon!

Tre ditë mëparë nëpërmjet një reagimi në faqen e saj znj. Alfrida Marku, sekretare e PD Lezhë, ish-nënkryetare e Bashkisë Lezhë, ka shprehur shqetësimin në lidhje me afatet e rindërtimit të shkollave për mundësimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në Lezhë.

“650 nxënës të shkollës Gjergj Kastrioti në Lezhë pas 3 javësh duhej ta fillonin mësimin në kushte dhe shkollë të rindërtuar nëse autoritetet do të kishin mbajtur premtimet.”, – shprehet Marku.

Ashtu siç u shemb dhe po rindërtohet shkolla “Llesh Nik Daka” në Njësinë Shënkoll po njësoj do të duhej të veprohej me shkollën Gjergj Kastrioti.

Ditën e sotme, të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe znj. Jorida Tabaku, ndoshta ndër zërat më aktiv me kritikën ndaj qeverisë në PD.

Mësipër mund të ndiqni videomesazhin e shpërndarë nga znj. Tabaku dhe mëposhtë reagimi i plotë i znj. Marku:

9 muaj nga tërmeti i 26 nentorit, Bashkia Lezhë ende nuk ka një zgjidhje për rindërtimin e shkollës 9 vjeçare “Gjergj Kastrioti”.

Për 650 nxënës të kësaj shkolle, kur kanë mbetur 3 javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, nuk ka një zgjidhje të arsyeshme se ku do zhvillojnë mësimin.

Zhvillimi i mësimit në ambientet e shkollës “Beslidhja”, në vetëm 26 klasa, është i pamundur dhe me rrezik për shëndetin e fëmijëve, pasi tejkalon kapacitetet, duke e çuar numrin e nxënësve në 1400 (dy shkollat bashkë).

Bashkia Lezhë duhet të marrë masa urgjente! Të nisë sa më shpejt ndërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti” dhe minimalisht gjatë kësaj periudhe duhej të rikonstruktonte ambientet e godinës së vjetër të gjimnazit “Hydajet Lezha”, si një zgjidhje e përkohshme për këtë situatë.

Në Institucionin e Bashkisë Lezhë, Propaganda i ka zënë vendin arsyes e punës !!