Airbnb Albania: një mundësi e re për qiradhënësit dhe hotelet në Lezhë!

@shutterstock

Një studiues i njohur i kulturave të ndryshme nëpër botë (Joseph Campbell) në një intervistë të tijën rreth 30 vite mëparë pati thënë se “nëse dëshironi të kuptoni se cila është gjëja më e rëndësishme që komandon jetën e një qyteti mos shikoni artin dhe letërsinë, thjesht shikoni ndërtesat më të mëdha.”

Dikur ishin kishat dhe xhamitë, më pas uzinat dhe fabrikat, ndërsa tani janë bankat dhe hotelet.

Veçanërisht në Lezhë, duke qënë qytet bregdetar, hotelet janë në këtë kuptim, ato ndërtesat më të rëndësishme. E nga kjo, pashmangshmërisht rrjedh edhe kultura e thellë e mikpritjes në këtë qytet.

Me ndryshimet e shpejta dhe të papritura teknologjike të viteve të fundit, është pikërisht ky pra, Arti i Mikrpritjes që ka marrë një hov të ri, sepse po u jep gjithnjë e më shumë mundësi individëve ta kthejnë në të ardhura monetare këtë aftësi.

Dikush është zotërues i një hoteli, dikush tjetër ka 2 shtëpi, mbase një tjetër ka 2 dhoma të pashfrytëzuara, kombinacionet janë pafund, dhe suksesi i platformës AirBnb bazohet pikërisht tek kjo ide: “tek arti i mikrpritjes me aq sa mundësi ke!”

Tashmë AirBnb ka njoftuar se platforma është zyrtarizuar ndërkombëtarisht edhe për 31 gjuhë të tjera, ndër to, edhe gjuha shqipe.

Kompania njofton gjithashtu se jo vetëm që mbështetja për gjuhët e reja do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të rezervojnë dhoma në Airbnb, por kompania thekson se do të shtojë edhe mundësi ekonomike në rajone të reja për mikrpritësit që tani mund t’i rendisin pronat në gjuhën e tyre amtare.