“800 Milionë Fond”/ Këshilli i Bashkisë Lezhë mblidhet online dhe miraton paketën lehtësuese!

Bashkia Lezhë ka alokuar 80 milion lekë reja të cilat do t’i shtohen fondit të emergjencës, për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Po ashtu ka vendosur shtyrjen e pagesave të të gjitha taksave dhe tarifave vendore dhe afati për të gjithë kategoritë e taksapaguesve, vetëm për vitin 2020, do jetë me dy këste të barabarta, kësti i parë në datën 30 qershor dhe kësti i dytë ne datën 30 tetor (nga data 30 prill që ishte).

Gjithashtu do të falen tarifat e shërbimeve publike për kategoritë e familjeve në nevojë për periudhën aq sa do zgjase emergjenca e krijuar nga Covid-19.

Bashkia do të bëjë falje në masen 20% të vlerës së përgjithshme të tarifes së shërbimit publik, për ketegoritë e taksapaguesve që nuk kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, referuar urdherit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa edhe penalitetet për mos respektimin e rregullave për shërbimet nuk do jenë në nivelin maksimal.

Këto propozime të Bashkisë u miratuan këtë të martë nga Keshilli Bashkiak, ne një mbledhje të jashtëzakoshme e cila u zhvillua online si masë mbrojtese dhe zbatim i rregullave për mbrojtjen nga coronavirusi. Me këtë pakete ekonomike kryebashkiaku Pjerin Ndreu, u shpreh se synohet t’ju vihet në ndihmë të gjitha kategorive të taksapaguesve, duke nisur nga qytetaret e thjeshte dhe bizneset që operojnë në territorin e kësaj njësie vendore, për shkak se kjo periudhe izolimi ka sjellë vështiresi të shumta për të gjithë.