70km kanale të pastruar në 10 muaj, flet Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Lezhë

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Lezhë Z. Dod Jaku ka folur në lidhje me vijimin e procesit të pastrimit të kanaleve të dyta dhe të treta në të gjithë territorin e Bashkisë Lezhë.

“Në harkun e 10 muajve, pra nga Janari deri në Nëntor”, shprehet Z. Jaku, “kemi pastruar mbi 70 kilometra kanale”.

Përgjatë gjithë këtij viti pastrimi i kanaleve ka qënë kryefjala e punëve në Drejtorinë e Bujqësisë, kjo për arsyen e thjeshtë se pa patur kanale kulluese dhe të presësh zhvillimin e produkteve bujqësore, është njësoj sikur të bllokosh damarët e trupit dhe të presësh që ai të vazhdojë të jetojë.

Pastrimi i kanaleve mund të themi pa frikë se ka qënë ndër investimet më të nevojshme por edhe më strategjiket të kryera nga Bashkia e Lezhës.

Pa dashur të tingëllojmë elozhativ, por thjeshtë për hir të respektit ndaj së vërtetës, duhet thënë se Ndreu jo vetëm që i dha dritën jeshile pastrimit të +70 km kanale, por edhe sepse e bëri Drejtorinë e Bujqësisë me eskavator, pasi sipas informacioneve që disponojmë, kjo drejtori, nuk e ka pasur një të tillë.