“342 Milionë për Arsimin!”/ Bashkia Lezhë garanton ngrohjen në shkolla

Lezhë, mësimi vijon normalisht, Bashkia garanton ngrohjen në shkolla.

Rënia e temperaturave gjatë ditëve të para të këtij viti, ka sjellë rritjen e konsumit të lëndës drusore në shkolla për ngrohje, ndaj në Lezhë po vijon shpërndarja e tyre në të gjitha institucionet arsimore.

Në këtë periudhë, vëmendje e veçantë po i kushtohet ngrohjes në shkolla, ku Bashkia Lezhë vijon me shpërndarjen e lëndës drusore, një proces i nisur që në muajin tetor të vitit të shkuar.

Këto masa kanë bërë që mësimi të vijojë normalisht në të gjitha institucionet arsimore dhe edukative.

Bashkia Lezhë ka furnizuar me soba të gjitha shkollat në të cilat ka pasur oxhakë, ndërsa në disa të tjera ku ka qenë e mundshme, bashkia ka ndërhyrë duke ndërtuar oxhakë të jashtëm, pasi vite më parë kur janë rikonstruktuar, investitorë të ndryshëm nuk kanë lënë mundësi oxhakësh, duke vështirësuar ngrohjen me soba.

Ndërkohë përdorimi i ngrohësave elektrikë në disa godina ka sjellë problematikën e mbingarkesës, e cila ka rrezikuar djegien e panelit elektrik. Rasti më i fundit ishte djegia e panelit në godinën e konviktit të shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, në ambientet e të cilit përkohësisht është i sistemuar edhe kopshti “Besëlidhja”.

Duke e cilësuar arsimin prioritet, Bashkia e Lezhës shprehet se në vite ka rritur buxhetin për arsimin nga 198.2 milionë lekë në vitet 2016-2017 në rreth 342 milionë lekë në vitet 2018-2019.