2 raste të reja në Lezhë, ku u zbuluan të prekurit me koronavirus…

Komentues të ndryshëm në faqen Lezha News, e quajnë raportimin mbi situatën e Covid19 si diçka me përmasa konspirative, të tjerë thonë se janë përralla, e të tjerë akoma thonë se Qeveria Shqiptare po i fryn shifrat qëllimisht sepse synon që kështu të arrijë një kuotë e cila do t’i mundësonte vjeljen e disa fondeve të caktuara të parashikuara nga Bashkimi Europian.

Qofshin këto hamendësime, të vërteta që të gjitha, apo të gabuara që të gjitha, në çdo rast, duhet të zbresim me këmbë në tokë dhe ta shohim realitetin me ftohtësinë e fakteve.

Dr. Tritan Kalo deklaroi se virusi është mes nesh dhe po vepron, edhe pse i nxehti veror ndikon duke e dobësuar ashpërsinë e tij, mesazhi që duhet të fusim të gjithë në xhep është ky: të mësojmë të jetojmë me virusin duke respektuar protokollet derisa të zhduket prej nesh.

Ditën e sotme, për Lezhën, u raportuan 2 raste të reja të pacientëve të prekur me koronavirus, ku sipas burimeve të besueshme por të pakonfirmuara zyrtarisht, të dyja rastet janë identifikuar në qytet, dhe bëhet fjalë për një kamarier dhe një punonjëse parukerie.

Në përfundim, sqarojmë lexuesin, se bërja publike e identitetit apo inicialeve të të prekurve përbën shkelje të privatësisë, dhe si e tillë, dënohet me ligj.