149 vjetori i lindjes! Çfarë u tha e çfarë u dëgjua dje në Fishtë të Lezhës

Jo të gjithë ata që kanë shkuar te Mrizi i Zanave në Fishtë, e kanë ditur se asaj rruge, dyqind metra përpara se të mbërrijnë te sofra e kuzhinierit që përgatit ushqimin e trupit, gjendet sofra ku u rrit një kuzhinier tjetër, e atij që gatoi ushqimin e shpirtit në sofrën e madhe të kombit.

Është barrë e rëndë kjo, të përpiqesh për të formuluar fjalë shpirti, për të cilat fisniku ynë nuk u shqua, sa ishte gjallë, të ketë qënë ndonjë idhtar i lëvdatave të teprueme.

Hija e tij në ndërgjegjen kolektive të popullit e të brezave është aq e madhe, saqë mund të vazhdojmë të shkruajmë paragraf pas paragrafi pa ia përmendur emrin, dhe prapë ta dini për kë po flasim.

Kjo është ndoshta ajo që na shtyn të përkulemi me respekt, në heshjte, për ta falenderuar në përjetësi.

Na vjen mirë për ata që rrugës për tek Mrizi, nuk e kanë ditur se, pak metra përpara se të mbërrijnë në destinacion, ndodhej një ngrehinë e shëmtuar, që në ndërgjegjën e neve të tjerëve që e dinim çfarë ishte, ndjesia e turpit na shkonte gjer në rrënjë të flokut, dhe shija e hidhur na shoqëronte edhe pasi ktheheshim prej Mrizit. Ata që nuk e kanë ditur, ia kanë kursyer vetes këtë hidhtësi.

Ditën e djeshme, më tepër sesa rikonstruksioni i shtëpisë ku ai u rrit, në rastin 149 vjetorit të lindjes së tij, me tepër se paratë e lëvruara, është se tani, sa herë të kalojmë asaj rruge, kujtesa jonë do të kujdeset ëmbëlsisht për të, për ta gjetur në atë vend që meriton.

Kryeministri Rama dukshëm e adhuron atë, e kjo nuk duket haptazi vetëm për nga mënyra sesi ai i përdor frazeologjitë fshikulluese fishtjane, kujtoni këtu frazën “Dokrra hini, këto janë dokrra hini”, por edhe sepse ai e ka bërë të veten filozofinë fishtjane, porosinë pra, për ta dashur fort gjuhën, për t’u dashuruar pas saj, kryeministri e ka marrë vërtetë seriozisht.

Duket profetike ta themi, por të gjithë ata që e kanë dashur, e kanë zgjedhur, folur, shkruar, farkëtuar e dashuruar gjuhën shqipe, në këmbim kanë marrë shumë prej Shqipërisë.

Ky vend pra, e ka fatin të lidhur me gjuhën e tij, dhe sa më shumë ta duash gjuhën shqipe aq më shumë të jep Shqipëria.

Duket profetike, por është e vërtetë. Në vitin 1996 kur e pyetën Jusuf Vrionin të jepte një mendim për Edi Ramën, ai parashikoi se ky njeri do të bëhet një figurë e madhe politike e vendit, dhe për parashikimin e tij, Vrioni u shpreh se e bazonte kryesisht tek aftësitë gjuhësore të Ramës, veçanërisht tek ndërtimi i bukur dhe kompleks i pjesëve të nënrenditura të fjalisë. Profeci Fishtjane ndoshta, por Vrioni qëlloi në shenjë.

Sot, të gjithë e dimë se Edi Rama vijon të mbetet i dashuruar marrëzisht me gjuhën shqipe, dhe thellë-thellë, ishte kjo dashuri që e solli dje në Fishtë, për të mbajtur një fjalim të shkëlqyer, i pararendur gjithashtu nga Frano Kulli, dhe ministrja Margariti.

Nëse vërtetë duam ta respektojmë Fishtën, atëherë jo vetëm që duhet ta flasim, por duhet të dashurohemi marrëzisht me gjuhën shqipe. Ja, ky është Amaneti i Tij.

Pjesa tjetër e asaj që ndodhi dje, ku dikush u përpoq ta përqëndronte forcërisht të gjithë vëmendjen kah vetja, apo të tjerë që masat kundër pandemisë, i keqinterpretuan si mohim i të drejtës së tyre për të qënë pjesëmarrës, janë një kronikë për të cilën, pas tre ditësh, s’do kujtohet askush.