OSBE dhuron lexues portabël pasaportash për Policinë e Kufirit dhe Migracionit

Policia e Kufirit dhe Migracionit do të përdorë për herë të parë lexues portativë për pasaportat në disa pika të kalimit kufitar në prag të sezonit turistik.

OSBE i ka dhuruar Policisë së Shtetit gjashtë lexues të tillë gjatë takimit të mbajtur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtoreshës së Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Aida Hajnaj me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Lexuesit do të shpërndahen fillimit në pikat e kalimit kufitar Morinë, Muriqan, Kapshticë e Kakavijë.

“Lexuesit do të përdoren në pikat e kalimit kufitar ku kalojnë më shpesh autobusët. Përdorimi i tyre do të sigurojë hyrjen dhe daljen e ligjshme e gjithë udhëtarëve, si dhe kapjen e atyre që mund të jenë shpallur në kërkim nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare, duke shmangur në të njëjtën kohë krijimin e radhëve të gjata dhe duke përmirësuar shërbimin për qytetarët.

Shpresojmë se dhurimi i sotëm do të çojë në përmirësim të shërbimeve për kufij të hapur por të sigurt,” tha Ambasadori Borchardt.

Ndërkohë, OSBE bashkëpunon prej kohësh me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për çështjet e sigurisë kufitare.

Krahas lexuesve portabël, OSBE i ka dhuruar Policisë së Kufirit dhe të Migracionit ndër vite një sërë pajisjesh të tjera, të tilla si: sistemin e komunikimit radiofonik, pajisje kompjuterike, sisteme panelesh diellore, etj.