Nënkryetarja e Bashkisë, Marku: Deputetët e PS-së nuk e dinë kuptimin e “llogaridhënies”

Partia Socialiste me deputetët dhe ministrat ka nisur në të gjithë vendin turin e llogaridhënies me banorë të zonave të ndryshme për të dëgjuar problematikat e këtyre të fundit.

Nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku në një postim në rrjetin social Facebook është shprehur se përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk e dinë kuptimin e fjalës “Llogaridhenie”.

Marku thotë se s’ka llogari ndaj qytetarëve, sepse nuk mund të thonë çfarë kanë bërë, e jo më çfarë s’kanë bërë gjatë këtyre viteve.

Postimi i plotë

Deputetë të PS Lezhë bashkë me disa ministra/e manekinë, në “llogaridhënien” më të shëmtuar të hipokrizisë dhe paaftësisë së tyre politike e profesionale 🤨 “Ti më pyet çfarë dua unë, e unë do flas prapë çfarë dua unë!” 😂

Sepse, llogaridhënie s’ka! S’ka llogari ndaj qytetarëve, sepse nuk mund të thonë çfarë kanë bërë, e jo më çfarë s’kanë bërë.
***

Dyshoj fort ta dinë se ç’është llogaridhënia! Sepse për ta, pushteti është arritje personale dhe jo detyrim për rritjen e ekonomisë së vendit, përmirësim të standartit të jetesës, përmirësim të infrastrukturës, zbatim i ligjit, rend, siguri, arsimim dhe shëndetësi bashkëkohore, funksionim i institucioneve, drejtësi bazuar në ligj dhe jo vullnete politike të lajthiturish, strategji, investime, punësim. Foli ndonjëri për këto?! As do flasin ndonjëherë!

Ndaj këtyre hipokritëve të politikës e shoqërisë, DUHET KËRKUAR LLOGARI, pasi e kanë çuar vendin në kolaps, në shtyllat kryesore të tij dhe në mekanizmat e funksionimit të tij.

Prej disa vitesh nuk flitet për investime, në sektorët e prodhimit apo infrastrukturë dhe shërbime. E vetmja para që qarkullon me shumicë është valuta e huaj si produkt i trafikut të narkotikëve.

Rrogat dhe pensionet nuk kanë patur asnjë përmirësim në 5 vite, por pakësim në raport me rritjen e çmimeve, taksave dhe korrupsionit në marrjen e shërbimeve.

Asnjë investitor i huaj! Dhe më e rënda, mbyllje të bisnesit të vogël dhe të mesëm dhe largim në emigracion i fuqisë më energjike të punës dhe trurit më të ri.

Këta manekinët që medemek po japin llogari, kanë shkatërruar dhe dhunuar institucionin e zgjedhjeve të lira duke “legjitimuar” kulturën e blerjes së votave nga grupet e të fortëve, të liçensuar për “biznesin” e hashashit, heroinës, kokainës dhe tenderave të parave publike.

Institucionet e drejtësisë janë në mosfunksionim total dhe nën kontroll të plotë politik qeveritar!

Me Gjykatë të lartë dhe Kushtetuese jashtë funksionit, me kontroll të figurës e profesionalizmit të gjyqtarëve të orientuar nga interesat politike, me vullnete gjyqësore të diktuara nga politkanë të qeverisë, me gjyqtarë që kalojnë vetingun duke pasur bashkëshortin të dënuar për trafik droge, me prokurorinë e shndërruar në avokat e truprojë të qeverisë, Shqipëria është kthyer në të vetmin vend në botë ku pushteti ekzekutiv dhe pushteti kriminal vendosin edhe për gjyqësorin.

Një ministre drejtësie, manekine e politikës dhe një prokurore e përgjithshme pa legjitimitet,që të dyja bashkë bëjnë ekzekutorin e urdhërave politik dhe truprojen e urdhëruesve.

Policia e shtetit nuk është më e shtetit dhe qytetarëve në funksion të rendit dhe sigurisë por në shërbim dhe nën urdhëra të krimit, kriminelëve, strukturave të organizuara të trafikut të drogës.

Këto struktura kriminale, emër për emër, janë edhe struktura politike të PS, dhe gjithçka kontrollohet e drejtohet nga ministrat e brëndshëm, çdo drejtor policie, e pas të cilëve është vetë kryeministri.

Krimi e kriminelët qeverisin vendin tonë!

Shërbimi më jetik për qytetarët, shëndetësia, është shndërruar në një monstër, ku nuk ka shërbim,aparatura, medikamente dhe staf por gjithçka është vënë në dispozicion të zbatimit të aktit korruptiv më të madh- check up-it falas! Një ministre e paaftë, për të cilën, në 2018-ën, përbën lajm, një lindje çezariane në maternitetin e Kukësit.

Politika sociale të degraduara, ku largohen nga ndihma ekonomike 20 mijë familje dhe u jepet mijëra të tjerave padrejtësisht, si strategji elektorale.

Sistemi arsimor është nën ndikimin dhe presionin e politikave eksperimentale degraduese, ku në pamundësi për investime, pretendohet të bëhet diçka e re. Gjithçka dështim, dhe një ministre që do të njihet si më e paafta dhe papërgjegjshmja që ka njohur sistemi arsimor.

Janë po aq qesharake në komunikim e artikulim sa ç’janë edhe “përgjigjet” e tyre, apo “pyetjet” e përgatitura prej tyre të lexuara nga punonjës të administratës (strukturave të partisë). Të tillë “bashkëbisedim” e konsiderojnë mbresëlënës, a thua se po komentojnë ndonjë ndeshje futbolli; shkojnë edhe më tej duke e pretenduar si një stan.