Makina shpërthen në flakë, humb jetën 22-vjeçarja shqiptare në Itali

Një aksident i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në San Giovani të Italisë, i ka marrë jetën një vajze shqiptare.

Aksidenti ka rezultuar fatal, pasi makina tip “Ford Fiesta” me të cilën udhëtonte 22-vjeçarja Xhoana Prenga, ka përfunduar në kanal dhe më pas ka shpërthyer duke u shkrumbuar tërësisht.

E reja shqiptare udhëtonte së bashku me një mikun e saj dhe qenin e tyre.

Makina drejtohej nga 23-vjeçari italian, i cili ka humbur kontrollin.

Djali që ndodhej në makinë me 22-vjeçaren arriti të dilte dhe kërkoi ndihmë, por ishte shumë vonë për të renë shqiptare, trupi i së cilës u nxor nga shërbimi zjarrfikës.

Sipas mediave italiane Xhoana është përshkruar nga miqtë e saj “si një vajzë e mbushur me jetë dhe e sinqertë”. Ajo jetonte në Croce me të ëmën e saj Diana Dollani dhe me motrën, ndërsa babai i tyre jeton në Pescara.

Policia pritet të marrë në pyetje 23-vjecarin italian për të zbardhur shkaqet e aksidentit.