Duke pritur 13 Qershorin, mijëra besimtarë në Kishën e Shna Ndout

Mijëra njerëz i janë drejtuar Kishës së Shna Ndout, një vend i shenjtë për besimtarët e krishterë. E pozicionuar në kodrën sipër qytetit të Laçit, çdo qershor ky vend kthehet në destinacionin kryesor të pelegrinëve.

Qytetarë të shumtë nga katër anët e vendit por edhe nga jashtë kufijve i drejtohen Kishës në kodër me qëllimin jo vetëm për t’u lutur por edhe për të qëndruar aty deri në orët e para të mëngjesit të 13 qershorit e cila është edhe dita e shenjtit që respektohet në Shqipëri nga besimtarët e të gjitha besimeve.

Me qirinj në duar kanë ngjitur shkallët që nisin në krye të qytetit të Laçit dhe që të çojnë drejt vendit të shenjtë duke përshkuar njëri pas tjetrit rrugën dhe duke uruar njëri tjetrin me fjalët “Shna Ndou u ndihmoftë”.

Fëmijë, të rinj, burra, gra e të moshuar po presin të kalojnë gjithë natën në ambientet përreth kishës duke u lutur dhe shprehur dëshira me shpresën për realizim.

Vendi i shenjtë i Shna Ndout është bërë vendi i unifikimit të besimeve dhe besimtarëve, të cilët pa dallim feje besojnë në mrekullitë e njërit nga Shenjtët me të njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Europën.

Kodra pranë qytetit të Laçit, mesnatën e sotme do mbushet plot me pelegrinë të cilët e kanë kthyer në traditë pritjen e mëngjesit të datës 13 qershor pranë kishës së shenjtit.

Për këtë ditë policia ka marrë masa me kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa rrugë të qytetit të Laçit ku do kalojnë në këmbë pelegrinët.