‘Xhafaj’/ Rama: Opozita, maskaradë destabilizuese. Hetim ndërkombëtar

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar me përshtypjet nga vizita e tij një ditë më parë në pallatin Elize, në Francë ku shprehu optimizmin e marrë nga presidenti Emanuel Macron për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Por sipas Ramës, opozita po tenton të pengojë Shqipërinë në këto metra të fundit para çeljes së negociatave.

“Me çeljen e negociatave drejtësia shqiptare bëhet në një problem të madh për ta pasi ajo hyn në fazën e çeljes deri në fund të kapakëve të zullumeve të mëdha të krimit dhe korrupsionit shtetëror në vite dhe lidhjeve reale të politikës me aktivitete kriminale, që nga pastrimi i parave me vulën e partisë deri në kuintalet e kokainës të fshehur nën banane me ndihmën e prokurorisë”, tha Rama.

Teksa i është kthyer çështjes së ditës, asaj të akuzave të ngritura nga opozita ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Rama e cilësoi të gjithën një maskaradë të mirëfilltë destabilzuese, ndërsa theksoi se ka kërkuar ekspertizë të mirëfilltë shkencore mbi videopërgjimin e servirur nga opozita.

“Maskaradë e mirëfilltë destabilizuese e vënë në skenë për t’i thënë Europës që ky është një vend ku Ministria e Brendshme është organizata mëmë e trafikut të drogës.

Dhe sa të jetë Edi Rama në Qeveria nuk mund të jenë asgjë tjetër vetëm eksponentë të botës së krimit global.

Unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiale, dhe burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnerëve mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllain e ministrit të Brendshëm”, tha Rama.