‘Xhafaj’/ Rama: Audiopërgjimi është joautentik. Burg për cilindo

Në fund të fjalës së tij të gjatë të mbajtur në mbledhjen e grupit deklaroi se e ka marrë përgjigjen shkencore të audiopërgjimit që sipas tij rezulton të jetë joautentik dhe një mashtrim i pastër i hedhur në skenë qëllimisht për të destabilizuar vendin dhe për ti vënë shkopinjtë në rrota kur ndodhet në kilometrat e fundit në rrugën e hapjes së negociatave me BE.

Rama kërkoi nga Prokuroria hetim të hollësishëm për të nxjerr para drejtësisë dhe për të çuar në burg cilindo që sipas tij serviri këtë mashtrim të mirëfilltë, vetëm për të nxirë vendin në sytë e partnerëve ndërkombëtar.

“Unë e kam marrë përgjigjen e audios së servirur nga opozita dhe mua ajo përgjigje më mjafton për t’ju thënë se nuk jemi para asnjë prove komprometuese, por me një material jo autentik me të cilin synohet destabilizimi i vendit.

Opozita e ka shpërndarë lajmin në formën e breaking news në çdo adresë email të vendeve të BE, për të baltosur vendin në çdo cep të Europës.

Cila opozitë e cilit vend mund ta bëjë këtë për vendin e vet kur ndodhet në prag të hapjes së negociatave? Këtë gjë asnjë armik nuk do t’ia bënte vendit. Kush e organizoi këtë lojë të ndyrë, këtë mashtrim, duhet të paguajë me burg”, – tha Rama mes të tjerash.

Më herë me tone mjaft të ashpra ndaj opozitës, Rama tha në mbledhjen e grupit se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk do të përgjigjet as ligjërisht dhe as moralisht, pasi akuzat nuk vijnë nga organet e drejtësisë.

“Në mbrojtje të pikërisht të drejtës tonë kushtetuese për të refuzuar një padrejtësi që Kushtetuta na e njeh mundësinë ta gjykojmë kur prokuroria vjen këtu në Parlament.

Për ta mbyllur këtë pjesë nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve po jo t’i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë kur secili prej ne vihet në akuzë prej tyre.

Akuzat sot ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë, dhe nuk kanë lidhje me të drejtën si vlerë po as mund të neglizhohen si shumë e për lumë, akuza që na bëhen përditë dhe as mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës.

Sepse tanimë në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret për të cilin dikush do të përgjigjet, jo me fjalë por me burg. Do ta shpjegoj pse. Ministri i Brendshëm nuk do të përgjigjet, as ligjërisht as moralisht”, – tha Rama.