Lezhë/ Shkolla “Kolin Gjoka”, arsimi profesional alternativa e duhur për punësim

Shkollat profesionale aktualisht janë të vetmet që ofrojnë një mundësi të mirë punësimi për vetë faktin se tregu është i tejmbushur me ekonomistë dhe juristë.

Arsimi profesional tashmë nuk shihet thjesht si edukim por si një mekanizëm për të siguruar një vend pune në të ardhmen.

Kthimi i Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë në një shkollë ekselence kohët e fundit duket se ka zgjuar interesin e nxënësve dhe prindërve për t’i drejtuar fëmijët e tyre drejt këtij arsimi.

Ka drejtuar edhe bizneset për të kërkuar praktikat por edhe për të punësuar këta nxënës të cilët mbarojnë këtë arsim.

Nxënësit të cilët kanë zgjedhur arsimin profesional tregojnë se kanë bërë këtë zgjedhje në mënyrë që të gjejnë një punë të mirë dhe të garantuar në të ardhmen.

Bashkëpunimi me biznese të ndryshme është një tjetër mundësi për këta nxënës pasi ndërthurin kështu teorinë me praktikën.

Ata sugjerojnë nxënësit që mbarojnë klasat e 9-ta që të drejtohen drejt arsimit profesional si
një mundësi e mirë për të ardhmen.

Ndërsa drejtori i shkollës “Kolin Gjoka” Bardh Dedgjonaj në një takim të realizuar ditën e djeshme për promovimin e shkollës ka theksuar se kjo shkollë është cilësuar si ekselente por ai thotë se duhet punuar akoma më shumë për të arritur vetëm rezultate pozitive.

Shkolla “Kolin Gjoka” ka njohur mjaft mbështetje nga projekti zvicerian “Aftësi për punë”.

Kjo shkollë ka marrë pjesë në shumë konkurse ku gjithmonë është vlerësuar pozitivisht.