Lezhë/ Rruga e Torovicës, e lënë në harresë

Nuk ka mbetur njeri që ka pushtet pa u premtuar rrugën banorëve të fshatrave të Torovicës.

Fjalët e tyre kanë qenë vetëm premtime boshe që janë dhënë në kohë fushatash.

Banorët e kësaj zone edhe pse një nga zonat më të varfra nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç shtrimit të rrugës së tyre, e cila i ka “burgosur”.

Të udhëtosh deri në Torovicë, nga kryqëzimi i Balldrenit, është një makth i vërtetë. Ajo çfarë ka mbetur nga rruga e dikurshme, që lidhte Lezhën me Shkodrën, tashmë nuk mund të quhet më rrugë.

Banorët kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga qeveritë rindërtimin e rrugës. Ata edhe kanë protestuar, kanë marrë ca premtime të cilat të nesërmen janë harruar.

Rama gjatë vizitës së tij të fundit në Lezhë ka theksuar se deri në fund të mandatit të tij kjo rrugë do të jetë e përfunduar por kjo mbetet për t’u parë pasi banorët e Torovices janë mësuar tashmë me premtimet e pambajtura.

Të shumta janë familjet që në Torovicë vuajnë për një kafshatë buke.

Mungesa e rrugës ka bërë që shumë banorë të largohen nga kjo zonë.