Fotot/ Vidhnin vilat në Itali, arrestohen 3 shqiptarët

Autorë të vjedhjeve dhe plaçkitjeve në vila dhe shtëpi, pesëmbëdhjetë “sulme” në muaj. Policia italiane ka vënë në pranga 3 të rinj shqiptarë që ishin kthyer në tmerrin e zonës së Macerates dhe në Ancona.

Nga grabitjet, shqiptarët thuhet se fitonin rreth 70 mijë euro. Në pranga ranë shqiptarët: Jetmir Çili, 25 vjeç, i njohur si bosi, si dhe Dorjan Pjetri dhe Kenado Pjetri, 26 dhe 22 vjeç.

Për të mos lënë shenja, ata ngjiteshin nga muret nëpër vila e shtëpi të cilat i grabisnin. Sipas mediave italiane, ata ngjiteshin me duar deri në katet e treta ose të katërta të ndërtesave dhe ndaj operacioni policor mori emrin “Alpinistët”.

Hetimet zbuluan se shqiptarët, të cilët përdornin edhe një femër që ishte partnerja e njërit prej tyre, me origjinë shqiptare dhe që merrej me prostitucion, qëndronin shpesh në hotele luksoze në Riviera.

Këtu, ata fshihnin sendet e vjedhura të paketuara mirë në qese plastike të gatshme për t’i shitur në tregun e paligjshëm.

Dy vëllezërit Dorjan dhe Kenado Pjetri, kanë lindur në Shqipëri dhe jetonin në San Benedetto, të dy të njohur për policinë. Po ashtu edhe Çili i lindur në Shqipëri, jetonte në San Benedetto, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër për detyrim paraqitje në polici çdo ditë.