Bashkia Lezhë aktivitet për 613-vjetorin e lindjes së Heroit tonë Kombëtar

Ky 6 maj shënon 613 vjetorin e Lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, përvjetor ky që korrespondon edhe me Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Shkollën Amerikane Lezha Academic Center, kanë organizuar një aktivitet kulturor-artistik për 613 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu.

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461.

Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të Kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.