Lezhë/ Memoriali i Skënderbeut, në gjendje të rënduar

Memoriali i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut që nga inagurimi i tij me 23 nentor të vitit 1981 e deri me sot nuk ka patur asnjë ndërhyrje.

Përgjegjësi i Trashegimisë Kulturore pranë Bashkisë së Lezhës, Paulin Zefi bën me dije se Memoriali ndodhet në gjendje mjaft të rënduar ku kolonat, mbulesa, sistemi i ndriçimit, pllakat e mermerit dhe muret kanë nevojë për restaurim sa më shpejt.

Memoriali i Skënderbeut po pret çdo ditë e më shumë vizitorë nga Shqipëria por të shumtë janë edhe ata nga vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2016 numri total i turistëve ka qenë 19,024 ndërsa në vitin 2017 ka patur rritje deri në 24,208 ndërsa po ta krahasojmë këtë fillim viti me atë që lamë pas kemi një dyfishim të numrit të vizitorëve.

Vizitorët mbesin mjaft të habitur për gjendjen që ndodhet sot Memoriali pasi është një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kombit Shqiptar.

Projekti për rikonstruksionin e Memorialit është miratuar dhe në të parashikohet se do të ndërhyhet në mbulesën e Memorialit e cila në këto momente ka dalë jashtë funksionit.

Do të ndërhyhet në kolonat, në sistemin ndriçues, në zgjerimin e urës dhe në çdo pjesë tjetër që ka nevojë por akoma nuk dihet se kur do të fillojë puna.

384 milion lekë të vjetra është vlera e parashikuar për këtë projekt. Nuk dihet akoma se kur Memoriali do të marrë atë pamje që i takon.