Cilat rregulla ‘të lojës’ ndryshojnë me vendosjen e TVSH-së…- nga Fatjon Bushi

Kufiri minimal i regjistrimit në Tatimin mbi Vleren e Shtuar ka pësuar një ulje të pragut nga 5.000.000 lekë në vit, në 2.000.000 leke duke filluar nga data 1 Prill 2018.

Kjo do të thote se të gjithë ato subjekte që kanë patur një xhiro mbi 2.000.000 leke, bazuar dhe në deklaraten vjetore, duhet që detyrimisht te regjistrohen si tatim pagues me pergjegjësinë tatimore për TVSH-në.

Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore mbështetet në ligjin nr. 92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik.

Sipas pikës 2 të nenit 119 të ligjit, në llogaritjen e vlerës së qarkullimit për qëllime të këtij regjimi nuk përfshihen në të, vlerat e transaksioneve të mëposhtme:

a) Furnizimet e aktiveve materiale dhe jo-materiale të personit të tatueshëm, që konsiderohen si aktive të investimit dhe nuk mbahen me qëllim për t’u shitur.

b) Vlerat e përfituara nga veprimet financiare të parashikuara në nenin 53, shkronjat “b” deri në “e”, të këtij ligji, të cilat nuk krijohen si rezultat i kryerjes së veprimtarisë ekonomike, por janë veprime aksesore.

c) Vlerat e përfituara nga veprimet mbi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk krijohen si rezultat i veprimtarisë ekonomike kryesore, për të cilën personi i tatueshëm është regjistruar.

Përveç këtij fakti detyrues është parashikuar që subjektet që dëshirojne edhe kur nuk e plotësojnë kushtin detyrues, kanë të drejtë të regjistrohen në Tvsh.

Ajo çfarë është me rëndësi në këtë proces është trajtimi kontabel i Inventarit gjendje në momentin e ndryshimit të përgjegjësise tatimore, përkatësisht data 31.03.2018.

Bazuar në nenin 83 të ligjit për TVSH-në, personi i tatueshëm i cili kalon kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së dhe për pasojë i nënshtrohet regjimit normal të TVSH-së, si dhe personi i cili regjistrohet vullnetarisht në këtë regjim ka të drejtë që në periudhën e parë tatimore kur bëhet person i tatueshëm i regjistruar, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim, mallra këto me qëllim për t’u shitur, për të cilat do të llogarisë TVSH në shitje.

Kushtet që duhet të plotësohen për të ushtruar këtë të drejtë janë si më poshtë:

a. mallrat do të shërbejnë për kryerjen e furnizimeve të tatueshme që kanë të drejtën e zbritjes. Nëse e drejta e zbritjes së TVSH-së është ushtruar ndërkohë që mallrat stok i shërbejnë furnizimeve te përjashtuara, atëherë duhet të bëhet rregullimi i TVSH-së së zbritur sipas përcaktimeve të ligjit.

b. personi i tatueshëm duhet të disponojë listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë, ku të evidentohet data e regjistrimit të stoqeve. Ky inventar duhet të dorëzohet në organin tatimor në momentin e regjistrimit në regjimin normal të TVSH-së dhe të jetë i evidentuar në regjistrat dhe kontabilitetin e personit të tatueshëm.

c. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 periudha tatimore përfshirë periudhën në fjalë, në përputhje me ligjin.

Bazuar në këtë nen të ligjit, nëse personi i tatueshëm ka rezultuar me tepricë të TVSH-së së zbritshme për 3 muaj radhazi si rezultat i TVSH-së së zbritshme të mallrave stok në momentin kur bëhet person i tatueshëm, atëherë ky person nuk ka të drejtë që të bëjë kërkesë për rimbursim tëkësaj TVSH-je.

Në nenin 75, pika 3, Udhëzimi.nr 6 dt.30.01.2015, për TVSH, thuhet se:

Çdo person i tatueshëm i regjistruar në regjimin normal të TVSH- së sipas pikës 1 të këtij neni, mund të kërkojë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore që të çregjistrohet nga regjimi normal i TVSH-se dhe ka të drejtë të kërkojë t’i nënshtrohet regjimit të bizneseve të vogla në rast se qarkullimi i tij kumulativ për të paktën 1 vit të plotë kalendarik të mëparshëm (1 janar-31dhjetor), bie nën kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së.

Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar