Pikiata e euros dhe pse ekspertët po ngrenë supet për ekonominë që nuk forcohet?

Bilanci tregtar i një vendi, është një element i rëndësishem në funksionimin e një ekonomie të hapur. Në të gjitha teoritë ekonomike sugjerohet se një bilanc tregtar negativ mund të përmirësohet nëpërmjet zhvlerësimit real të normës së kursit të këmbimit të monedhës vendase.

Fillimi i vitit 2018, ashtu si dhe viti 2017 paraqiti një dobësim të vazhdueshem të monedhes Europiane Euro, në raport me monedhen tonë Lek (ALL). Ky fenomen i viteve të fundit ka shpjegime sa ekonomike aq dhe jo-ekonomike. Zhvlerësimi i vazhdueshem i monedhës Euro, ka disa efekte në ekonomi të cilat do mundohemi t’i evidentojmë në këtë artikull.

Ekonomia shqiptare, ashtu si edhe pjesa më e madhe e ekonomive të tjera ish totalitare, me ekonomi të centralizuar, është e orientuar drejt importeve, e karakterizuar nga një bilanc tregtar negativ. Gjatë periudhës së kalimit në ekonomi të tregut të lirë, nevojat e konsumit të brendshëm nuk mund të plotësoheshin nga prodhimi vendas, duke i orientuar kështu ekonomitë drejt importeve.

Kursit i këmbimit të monedhës kombëtare (ALL) ndikon në bilancin tregtar (eksporteve dhe importeve). Forcimi i monedhës kombëtare (ALL) kundrejt Euros si valuta kryesore e huaj në ekonominë shqiptare, bën që kostoja e mallrave të importuara të ulet , pra teorikisht pritet dhe rënie e çmimit të këtyre produkteve në tregun vendas.

E kundërta do ndodhë me mallrat që do të eksportohen në tregun e huaj, pasi çmimi i tyre do bëhej më i lartë, gjë që teorikisht do nxiste uljen e eksportit të mallrave që do prodhohen në vendin tonë.

Në rastin e funksionimit normal në një treg të lirë, ndryshimet në normat e kursit të këmbimit valutor, do shërbenin si një mekanizem rregullues në tregtinë ndërkombëtare.

Në momentet që po kalon monedha Euro, në raport me monedhen tonë ALL, efekti i pritshem në ekonominë tonë do ishte një rënie në nivelin e përgjithshem të cmimeve, pra të Indeksit të Cmimeve të Konsumatorit, si rezultat i forcimit të monedhës tonë.

Duke qënë një vend me një defiçit tregtar të theksuar, pothuajse të përhershem, pesha e eksporteve të vendit tonë, ngelet akoma në nivele të papërfillshme në tregtinë ndërkombëtare. Pra, pavarësisht se mallrat tona, do bëhëshin më të shtrejta, eksportet nuk kanë të njejtin efekt në bilancin tregtar sa importet.

Sa ndikon kursi i këmbimit në përmirësimin e bilancit tregtar?

Ecuria e kursit real të këmbimit valutor në Shqipëri gjatë tranzicionit dëshmon për një prirje relativisht të fortë të mbiçmimit real të monedhës vendase, që do të thotë ulje të konkurueshmerisë së mallrave shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Kërkesa dhe oferta për eksporte në ekonominë shqiptare nuk është elastike, pra nuk ka një korrelacion domëthënës në treguesit e qarkullimit të mallrave. As kërkesa për mallra importi nuk është elastike në lidhje me çmimin, duke bërë që politika e uljes së çmimeve me anë të ndryshimit të kursit të këmbimit të mos jetë efektive.

Referuar të dhënave të INSTAT për periudhën 2012-2016, vërejme këto volume tregtare:

Ajo që vihet re nga të dhenat statistikore në këtë periudhe 5 vjeçare, është rritja e defiçitit tregtar sidomos në vitet 2015-2016. Nga të dhënat e fundit të INSTAT, për vitin 2017, kemi një rritje të defiçitit tregtar nga 335 Mld ALL në 353 Mld ALL, pra me një rritje prej 18 Mld ALL.

Megjithatë ajo që është e rëndësishme është dhe rritja e volumit tregtar me vendet e BE, si dhe rritja në mënyrë të qëndrueshme e Eksporteve duke arritur në 273 Mld All në fund të vitit 2017, nga 213 Mld ALL në vitin 2013, pra me një rritje prej 60 Mld All.

Këto të dhëna vertetojnë faktin që kërkesa dhe oferta për eksporte në ekonominë shqiptare nuk është elastike, në raport më kursin e këmbimit.

Ky thellim i defiçitit tregtar, tregon se përmirësimi i këtij treguesi, duhet të shoqërohet me disa politika makroekonomike dhe fiskale. Përmirësimi i defiçitit tregtar duhet të arrihet nëpërmjet ndryshimit në strukturën e tregtisë. Importet e mallrave kapitale janë të rëndësishme për vendin tonë dhe ato duhen nxitur si një element i përmirësimit të kapaciteteve të biznesit vendas.

Por njëkohësisht do të ishte e natyrshme çdo përpjekje për zëvendësimin e importeve me prodhim vendas me të njëjtën cilësi. Sektori bujqësor dhe eksportimi i këtyre produkteve, do ishte një hap pozitiv në përmirësimin e treguesve makroekonomikë të vendit tonë.

Përpjekjet për zëvendësimin e qëndrueshëm të importeve nëpërmjet ristrukturimit të ekonomisë dhe të krijimit të një klime të përshtatshme për biznesin privat, janë në të njëjtin kah me përpjekjet për nxitjen e eksporteve.

Përdorimi i politikave fiskale të cilat ndikojnë në nxitjen e eksporteve mund të konsiderohet në një periudhe afatgjatë si rruga kryesore për përmirësimin e bilancit tregtar.

Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar

Shënim: Titulli është redaksional i lezhanews.com; titulli origjinal: “BILANCI TREGTAR DHE EURO”