Lezhë/ Takimi kundër kultivimit të lëndëve narkotike, ja sa raste u identifikuan gjatë 2017

Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike ka mbledhur në një takim Prefektin e Lezhës, drejtues të Bashkive të qarkut, përfaqësues të Policisë, Gjykatës, Prokurorisë dhe institucioneve rajonale.

Në takimin e thirrur nga Prefekti i Lezhës u diskutua mbi masat që duhen marrë kundër kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Lezhës.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ferdinand Mara tha se policia e Lezhës është e angazhuar për të goditur çdo rast të kultivimit apo trafikimit të lëndëve narkotike.

Për kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj fenomeni i kultivimit të drogës do të zhdukej vetëm në rast se qeveria është e vendosur realisht për ta luftuar, ndërsa shprehu gatishmërinë e bashkisë së Lezhës për të mbështetur këtë nismë.

“Vitet e shkuara kanë qenë problematik, sa i takon kultivimit të lëndëve narkotike.
Duhet të bëhemi bashkë kundër kultivimit të drogës. Të merremi seriozisht kundër këtij problemi që po zhyt ekonominë e shqiptarëve.

Duhet të bëjmë të pamundurën që ky fenomen jo vetëm të parandalohet por të zerohet. Nëqoftëse qeveria e ka me të vërtetë këtë nismë kjo quhet e mbyllur”, – tha Frrokaj.

Droga ka deportuar deri në shkolla, e kjo deklaratë vjen nga kreu i Bashkisë Kurbin Artur Bardhi.

“Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar kundër kultivimit. Nga shkolla 9-vjeçare e lart bëhet hataja me konsumimin e hashashit.

Ne jemi vetë prindër dhe duhet të reagojmë dhe të marrim masa konkrete”, – tha Bardhi.

Gjatë vitit 2017 në qarkun e Lezhës janë identifikuar 30 raste të kultivimit të narkotikëve ku janë asgjësuar 7397 bimë, ndërsa gjatë vitit 2016 janë identifikuar 126 raste që kanë sjellë asgjësimin e 121 023 bimë narkotike.