Bashkëqeverisja/ Rama: Na dërgoni ankesat, largoni nga detyra abuzuesit

Mbledhja e qeverisë në Elbasan ka vijuar pasditen e sotme me një takim me qytetarët për të folur lidhur me platformën e bashkëqeverisjes me njerëzit, për të cilën kryeministri Edi Rama tha se i jep mundësinë çdo shqiptari të thjeshtë që të kërkojë të drejtën e tij dhe të pushojë zyrtarët që abuzojnë me detyrën.

“Sekreti i gjithë këtij sistemi është se ne bëjmë në çdo ndërveprim me çdo qytetar që hyn në platformë atë që kemi premtuar, sepse çdo qytetar mund të jetë pjesë e koalicionit tonë qeverisës.

Keni të njëjtin akses siç e ka çdo deputet. Në këtë mënyrë qytetarët ngrenë zërin dhe nga ana tjetër ministrja e ministri përkatës bashkohen me të dhe në këtë mënyrë paraziti, grabitqari që nuk e ka vënë ujin në zjarr për problemin e qytetarit është në kurth, nuk ka nga mban më”, – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi më tej se në rastet kur përgjegjësia është individuale e njërit apo tjetrit zyrtar për çështje të pazgjidhura ndër vite, ai njëri apo tjetri do largohet nga puna.

“Çdo qytetar që vjen e kërkon të drejtën e tij, mund të të pushojë nga puna. Kjo është shumë më e thjeshtë sesa të paguash lekë, të kërkosh miq apo të bësh rrugë.

Tre minuta futesh në platformë dhe do presësh 10 ditë. Në përfundim të afatit t’i merr përgjigje”, tha kreu i ekzekutivit.

Sipas Ramës “deri më sot janë mbi 5000 raste denoncimesh në platformën e bashkëqeverisjes dhe janë dramatike, pasi kanë zgjatur me vite dhe tashmë janë zgjidhur të gjitha”.

Rama tha gjithashtu se “do të kemi një stacion dhe do të marrin fund rastet që shkon tek ALUIZNI ta jep ndërsa Hipoteka s’ta njeh legalizimin e shtëpisë”.

“Në Hipotekën e Elbasanit janë gjendur mbi 4 mijë dosje njerëzish që prisnin të hipotekoheshin pasi ishin legalizuar. Stivosur si bananet dhe prisnin që secili t’i dilte për zot në forma që dihen.

Reforma do bëjë që të jetë cikël i mbyllur dhe kërkesa të mos bëjë xhiron e institucioneve dhe qytetarët të mos bëjnë xhiron e dyerve dhe xhepave.

Duhet të ruhemi bashkarisht se drejtorët e kanë në terezi. Ne të bëhemi bashkë që drejtorët të na shërbejnë neve”, – tha ai.