Frazat Përbuzëse ndaj Femrës që i Dëgjojmë Përditë… (shumica thuhen pa kuptuar)

Ajo që përcaktohet nga ekspertët si “mikromaskulizmi” është grupi i të gjitha atyre qëndrimeve delikate dhe me sa duket naive me të cilat shoqëria vazhdon të trumbetojë idenë e gruas së dobët dhe të pambrojtur, domethënë inferiore ndaj mashkullit.

Disa nga këto veprime janë padyshim një trashëgimi “kulturore” e periudhave historike në të cilat barazia gjinore dukej vetëm një hipotezë që nuk ndodhte normalisht dhe shumë prej nesh i miratonin këto sjellje pa i kuptuar ato.

Por ka disa fraza që thuhen çdo ditë dhe të cilat kanë për qëllim t’i ulin gratë në statusin e tyre, duke konfirmuar rolin e tyre të inferioritetit në nivelin social.

Këtu janë 13 shembuj që me siguri i keni dëgjuar:

“Pse nuk përpiqesh të jesh pak më femërore?”

Fraza supozon se vlera e një gruaje matet me anë të feminitetit, zakonisht të ndjekura nga qëndrime delikate dhe veshja e përshtatshme.

“Ajo që të duhet ty është një burrë!”

Kjo ide supozon që një grua e acaruar ose e nevrikosur mund të qetësohet vetëm nga prania autoritative e një burri. A nuk njohin ata edhe gra të martuara që gjithsesi nevrikosen!

“Ke mësuar të gatuash! Urime! Je për t’u martuar!”

Sikur aftësia për të gatuar, automatikisht ka për qëllim përgatitjen e darkës për bashkëshortin dhe fëmijët e saj. “Puna” e vetme e një gruaje.

“E them për të mirën tënde, a nuk mendon se duke folur me kaq shumë djem, ata do të mendojnë se je një femër e lehtë?”

I njëjti qëndrim që për mashkullin është një burim krenarie, për femrat mund të krijojë shpifje dhe thashetheme.

“Kur do e bësh një fëmijë?”

Frazë që sugjeron se shtatzënia është qëllimi i vetëm dhe maksimal në jetën e një gruaje. Dhe mundësisht kjo të vijë sapo të jetë martuar në mënyrë që përgjegjësitë e saj të nisin menjëherë, ndoshta edhe pa qenë ajo gati.

“Nëse vishesh në mënyrë provokuese, është normale që burrat të mos të të marrin seriozisht!”

Veshja në mënyrë provokuese është një simptomë e shthurjes dhe një nxitje e qartë për ngacmime nga meshkujt e pangopur dhe të babëzitur?

“Çfarë lidhje ka vëllai yt, ai është mashkull!”

Në familjet me fëmijë të të dyja sekseve, shpesh diskriminimet bëhen edhe pa e kuptuar atë. Për të mos thënë që vajzat fatkeqësisht diskriminohen dhe seleksionohen që në barkun e nënës.

“Çfarë është ky humori yt … Mos je gjë me cikël?”

Sikur meshkujt të kishin provuar të paktën njëherë ciklin e femrës as që do u ishte dëgjuar zëri aq më pak të kishin thënë ndonjë frazë më për ciklin. Pa përjashtuar rastet që kjo frazë thuhet nga femrat.

E vërteta është se gjatë ciklit menstrual femrat përjetojnë ndryshime të humorit para dhe gjatë ditëve të ciklit dhe natyrisht edhe dhimbje. Por kjo nuk është e thënë që një femër mund të nervozohet vetëm kur është me cikël.

“Ia dhanë asaj vendin e punës … Me patjeër ka diçka me shefin”

Duke supozuar kështu se një vajzë nuk ka aftësinë për të marrë një punë në mënyrë të zakonshme dhe të ndershme, por vetëm duke u përulur dhe mashtruar.

“Je me fat, ke një burrë që të ndihmon me punët e shtëpisë!”

Kjo frazë shumë e zakonshme nënkupton që kujdesi i shtëpisë është detyrë ekskluzive e gruas dhe se burri i bën asaj një favor duke kontribuar herë pas here. Të mos na dalë nga mendja se detyrat dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta, sidomos kur të dy janë të punësuar jashtë shtëpisë.

“Nuk është mirë të dëgjosh këto fjalë nga goja e një zonjushe!”

A mos paska fjalë për burrat dhe fjalë për gratë? Edhe këtu janë ndarë kufinjtë?

“Pse nuk e mban veten pak më shumë? Kështu si je askush nuk do t’i hedhë sytë…”

Të ndodh apo të ka ndodhur të dëgjosh fraza si këto të mësipërmet?

Edhe nëse ato artikulohen pa qëllim denigrimin, ato janë gjithsesi një mënyrë delikate dhe jo e duhura për të krijuar një ide të caktuar të gruas.

Ne të gjithë mund të kontribuojmë me diçka të vogël … për shembull, duke i kërkuar të gjithë atyre që i njohim të mos i thonë më fraza të tilla inferiore!