U vra nga gjahtari italian/ Jepet drejtësi për adoleshentin shqiptar, pas 15 vjetësh

Pas thuajse 15 vjetëve, familja shqiptare ka gjetur drejtësi për djalin e saj. Gjithçka filloi në 2003-shin, kur një italian, për gjah në Shqipërinë e mesme, vrau një djalë 15 vjeç.

Drejtësia shqiptare akuzoi italianin për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”. Dënimi përfundimtar (pas tre shkallëve të gjykimit), 3 vjet burg, u dha në vitin 2009, në mungesë, pasi italiani ndërkohë ishte kthyer në vendlindje.

U shpall në kërkim e menjëherë u kërkua që dënimi penal shqiptar të njihej nga drejtësia italiane.

Në Itali, familja i beson çështjen gjyqësore avokates Ilda Beqo që rrëfen këtë ngjarje për shqiptariiitalise.com.

“Kanë kaluar shumë vjet nga ngjarja e ndërkaq në Itali ka pasur edhe dekrete falje dënimesh, kështu që për tre vjetët e dhëna në 2009-tën nga gjykata shqiptare, italiani ndoshta nuk ka për të hyrë ndonjëherë në burg” shpjegon avokatja.

“Por për palën e lënduar njohja e vendimit penal shqiptar ishte shumë e rëndësishme sepse na lehtësonte punën në gjyqin civil për njohjen e dëmshpërblimit.

Edhe pse askush nuk u kthen më djalin, më në fund familja do të marrë dëmshpërblimin më të lartë që njeh ligji italian” – thotë avokatja Ilda Beqo.