Tregu i telefonisë celulare/ Ja cili do të jetë plani i AKEP në ndihmë të konsumatorëve për vitin 2018

Pas daljes së operatorit të katërt të rrjetit të telefonisë së lëvizshme, ky treg në vendin tonë duket se do të ketë nevojë për një mbikëqyrje më të madhe për të garantuar konkurrencën e drejtë dhe të ndershme midis tre operatorëve të mbetur.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në Strategjinë për vitin 2018, parashikon një sërë veprimesh në këtë drejtim. Fillimisht, gjatë pranverës pritet të përfundojë analiza që do të reflektojë edhe ndryshimet e fundit.

Krahas rivlerësimit të rregullores për bartjen e numrit, AKEP do të studiojë mundësinë për të kërkuar përfshirjen e dispozitave për kompensimin e konsumatorëve nëse shërbimi i ofruar nuk përputhet me kushtet dhe afatet e miratuara.

Këto dispozita do të zbatohen edhe për vonesat në portimin e numrit, dhe në një afat më të gjatë, edhe në situata të tjera kur cilësia e shërbimit është nën nivelin e rënë dakord në kontratë.

Ndërkohë, një përpjekje do të shkojë për heqjen e tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor, një ndër objektivat e BE për ndërlidhjen e këtyre vendeve në sektorin e telekomunikacionit.

AKEP gjatë këtij vitit do të monitorojë edhe zbatimin e detyrimeve të operatorëve për rritjen e mbulimit dhe cilësisë së mbulimit në zonat që shfaqin probleme. Në këtë kuadër, autoriteti do të publikojë të dhëna krahasuese sipas operatorëve, përfshirë për tregues të mbulimit, shpejtësisë së aksesit në Internet.