Shpellat e Mirditës, një enciklopedi që sapo ka nisur të shfletohet…

Shpellat e Mirditës, një enciklopedi që sapo ka nisur të shfletohet

Për vetë pozitën që ka patur Mirdita në rrjedhat e historisë dhe kulturës kombëtare, ka qene gjithnje objekt hulumtimi i shumë dijetarëve të huaj e të vendit, që prej mesit të shekullit XIX, si Hahn, Hekuard, Galandi, Durham, Nopça, Baldaçi, De Grand, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja, etj.

Por duhet thene se njëri ndër objektet studimore dhe njëra ndër fushat studimore me pak të prekura ose pak të njohura ka qënë Speleologjia, ose studimi i shpellave në Mirditë, të cilat në fakt janë të shumta dhe për nga numri dhe pasuritë që afrojnë ato do t’i kishin zili edhe vende shumë të zhvilluara e me potenciale shumë më të mëdha ne Europe.

Në Mirditë kanë munguar hartografët, gjeografët dhe speleologët vendas që të jenë marrë mirëfilli me këtë punë, por krejt ndryshe ndodh me studiues të rangut kombëtar, të cilët nuk kanë munguar t’i kenë objekt studimi të tyre shpellat e shumta të Mirditës, thesaret e tyre të veçanta dhe të pazbuluara e të panjohura që fshehin ato.

Studime të tilla nisin herët me studiuesit e lartëpërmendur dhe vijojnë e marrin një vrull të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kur gjeologu i shquar Profesor Anatoli Agustjeviç Zvjeruga, me origjinë izraelite i njohur si njëri ndër inxhinierët më të njohur të Uraleve e një nga më të njohurit në Bashkimin Sovjetik dhe inxhinierja e re Sonja Nikollajevna bëjnë objekt të studimit të tyre “Shpellën e Merkurthit”, dhe atë të Valit.

Gjithkush që merr përsipër të flasë për speleologjinë nuk mund të neglizhojë dhe nuk mund të lerë pa përmendur emrin e Shtjefën Gjeçovit, i cili firmosi në zgavrat e shpellës së Gajtanit për të lënë aty si monument dhe dëshmi interesin e tij, ky personalitet i kulturës kombëtare ka lënë dëshmi të rëndësishme edhe për shpellat e Mirditës.

Nëse përmendim ekspedita speleologjike në Mirditë ato janë të shumta por nuk mund të lemë pa përmendur atë të 11 Qërshorit të vitit 1963 kur në Mërkurth mbërrinë një grup speleologësh bullgar, të cilët zbresin në thellësitë e shpellës së Mërkurthit dhe atë të Valit.
Zbulime tepër të rendësishme të futura dhe në enciklopeditë europiane bënë Prof. Dr. Peter Beroni – Sofie Bullgari, në fushën e biospeleologjisë, ai në këtë shpellë zbulon specjen Albanotrechus Beroni. Ky zbulim shumë i rrallë është publikuar në buletinet më prestigjioze të Europës.

Një grup i vogël studiuesish mirditas sot kanë në dorë studimet e ralizuara, të cilat kurrësesi nuk janë të plota dhe shterruese por këto studime janë pak të njohura, pak të mbështetura dhe të botuara në gjuhën shqipe për t’u vlejtur të gjithë, studiuesve dhe të gjithë dashamirësve të speleologjise.

Natyrisht këtu nuk mund të le pa përmendurt Speleologun dhe paleontologun e njohur Prof. Dr. Anton Fistani, Rektorin e Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Nju Jork, i cili tronditi rrethet shkencore shqiptare me studimet e tij në shpellën e Gajtanit,
Ky personalitet i shkencës shqiptare sjell dëshmitë e munguara edhe për shpellën e Blinishtit. Përsa i përket Blinishtit, ai më njofton disa herë, se në një shkëmb në Blinisht të Mirditës ka disa “vizatime”.

Shkëmbi në fjalë i mbuluar me lëmyshk e likene rezultoi me të vertetë se kishte disa incizime të moçme rupestre. Tema e inçizimeve mbizotëron me tri figurat antropomorfe dhe të atyre gjeometrike me shenjën e kryqit dhe trekëndëshit apo majës së heshtës. Tipologjikisht forma e vizatimeve në Blinisht ngjason mjaft me inçizimet paleolitike të Aurignacenit të hershëm francez, të zbuluara në L’ile-de-France, J.L.Baudet (1950). Sipas një vlerësimi krejt paraprak, inçizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të paleolitit të sipërm dhe fillesave të mezolitit të hershëm.

Padyshim, ky dokument përbën një trashëgimi kulturore me vlerë dhe veçanërisht të çmueshme për Mirditën dhe Shqipërinë. Inçizimet rupestre, dëshmojnë për fillesat e artit të trashëguara nga një kulture primitive në këto treva në Blinishti të Mirditës. Ato janë dokumente të lidhura me zhvillimin e praktikave religjioze të njerëzve parahistorike, të cilat përbëjnë një trashëgimi kulturore të prekshme.

Në këtë kuadër, duhet të theksojmë edhe një herë, se Mirdita, është një areal universal i një Enciklopedie, që sapo ka filluar të shfletohet dhe studiohet seriozisht, ku rezultatet dhe informacionet, do të jenë befasuese dhe tepër interesante.

Shpellat e Mirditës deri më sot mund të thuhet se janë evidentuar vetëm si numër por kurrsesi nuk mund të thuhet se janë studiuar dhe nxjerrë konkluzione fikse për to.

Gjon MARKU, studiues
(botuar ne librin guidistik Mirdita Speleologjike)