Prindër “bëni muhabet” vazhdimisht me të porsalindurin!

Bisedat me fëmijën që në momentin e parë që vjen në jetë ndihmojnë shumë zhvillimin e fëmijës suaj. Prindërit gjithnjë kanë prirjen t’u flasin të vegjëlve edhe kur ata nuk janë ende në gjendje të kuptojnë.

Në këtë mënyrë, fëmijët mësojnë të njohin tingujt dhe fjalët dhe t’i lidhin ato me objekte, njerëz e koncepte.

Bisedat me ta sapo kanë lindur, ndihmon veçanërisht trurin e fëmijës e për rrjedhojë të folurën e tyre.

Efekti pozitiv

Një studim i kohëve të fundit, i kryer në Universitetin e Harvardit tregoi se prindërit që flasin me fëmijët e porsalindur, stimulojnë tek ata një fjalor shumë të pasur dhe elokuencë kur të rriten.

Në fakt, fëmijët, duke dëgjuar fjalorin e një të rrituri, qëkur janë fare të vegjël, kanë një aktivitet më të madh në një zonë të trurit të quajtur Broca Area, thelbësore në aftësitë për të folur.

Studimi i hershëm

Hulumtimi u krye në bazë të të dhënave nga një studim i vitit 1995.

Të dhënat treguan një ndryshim në fjalorin e fëmijëve të lindur në familjet me të ardhura të ulëta krahasuar me ato me të ardhura të larta.

Dallimi në fjalor ishte tronditës: rreth 30.000 fjalë i ndanë dy grupet e fëmijëve. Sipas studiuesve të hulumtimit të parë, të ardhurat ekonomike të familjes ndikonin në zhvillimin gjuhësor të fëmijës.

Rishikimi i studimit

Por studiuesit e Universitetit të Harvardit rishikuan rezultatin dhe arritën në përfundimin se faktori kryesor që ndikonte ishte komunikimi i prindërve që në ditët e para të jetës.

Dallimet nuk ishin për shkak të statusit social apo të ardhurave ekonomike, por ndikoheshin nga ekspozimi i fëmijëve në bisedat e të rriturve.

[Burimi: pernenat.al]