Përfundon Vettingu për 60 gjyqtarë dhe prokurorë

Vettingu pritet të sjellë së shpejti rezultatet e para. Katër trupa gjyqësore kanë përfunduar kontrollin ndaj së paku 60 gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të njoftohen me anë të postës elektronike nëse e kanë kaluar, apo jo vettingun.

Ky relacion pritet t’u përcillet të kontrolluarve, që më pas kanë të drejtë të përgatiten dhe të mbrohen në seancat dëgjimore që do të zhvillohen me dyer të hapura.

Vetëm pas këtij procesi, Komisionit i Pavarur i Kualfikimit ka të drejtë të shpallë vendimin. Por, verifikimi i pasurive, i pastërtisë së figurës dhe i aftësive është në fakt një çështje administrative që përfshin pastrimin e drejtësisë.

Vettingu nuk është një çështje penale që do të sillte arrestime gjyqtarësh, apo prokurorësh në rastet kur ata do të konstatohen me pasuri dhe lidhje të dyshimta.

Në këtë hetim administrativ tre janë vlerësimet që propozohen për gjyqtarët dhe prokurorët, që po rivlerësohen dhe që janë, “i papërshtatshëm, i aftë dhe me mangësi”.

Por, rezultatet për njerëzit e parë që janë kontrolluar nuk bëhen publike, pasi ruhen të dhënat personale. Megjithatë, burimet thonë se të parët që kanë kaluar në sitën e vettingut janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Brenda pesë ditëve secilit prej tyre duhet t’i vendoset në dispozicion raporti i Komisionit të Pavarur të Kualfikimit. Sipas parashikimeve ligjore barra e provës më tej i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët do të dalin në seancë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të procesit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të shpallë brenda 30 ditëve nëse gjyqtari dhe prokurori që po rivlerësohet, a do të qëndrojë në sistem, apo do të largohet?