New York Times: “Ismail Kadare përballet me të mbinatyrshmen… E Penguara do t’i japë Nobelin!”

– Nga Cynthia Haven, New York Times (23 Shkurt 2018) –

Lexuesit e Ismail Kadaresë habiten çdo vit kur komiteti Nobel e anashkalon atë. Autori i parë i madh i Shqipërisë tashmë është fitues i çmimit Man Booker International, Jerusalem Prize dhe plot nderimeve të tjera – çmimi suedez duket se po vonon shumë për maestron 82-vjeçar. “E Penguara”, botuar në shqip në vitin 2009, mund të rindezë shpresat mbarëbotërore.

Tema gjithëpërfshirëse e Kadaresë dhe konteksti për pjesën më të madhe të punës së tij është diktatura e Enver Hoxhës prej katër dekadash, regjimi grotesk, paranojak dhe stalinist i të cilit torturoi e internoi mijëra njerëz. Megjithatë, “E Penguara” – e vendosur në vitet 1980 përballë një grupi hetuesish, të dëbimit dhe të jetës në mërgim me forcë – gjithashtu ofron një rrëfim më të zjarrtë.

Historia fillon thjesht: Një studente e artit kërkon nga një dramaturg i mirënjohur t’i nënshkruajë një libër për miken e saj të largët. Por mbishkrimi i tij hap një derë që do ta çojë atë në kufinjtë e dashurisë, vdekjes, kohës dhe një lloj shkatërrimi torturues, duke e lënë heroin e pamundur të Kadaresë, Rudian Stefa, gjysmë të çmendur, duke murmuritur fraza të pakuptimta latine dhe shqipe arkaike.

Rudiani, i cili bëhet objekt i dëshirës për dy vajzat e reja, është egoist, me temperament të paqëndrueshëm, herë pas here i dhunshëm, por i talentuar.

Autoritetet kanë bllokuar skenarin e tij të ri sepse përfshin fantazmën e një partizani të Luftës së Dytë Botërore, i cili dyshon për vrasësit e tij. Diktatet e realizmit social nuk lejonin mbinatyroren në skenë.

Sigurisht, Rudiani është thirrur për t’u marrë në pyetje, në një vend ku pyetjet lënë “gjak në dysheme”. Por zyrtarët nuk synojnë dorëshkrimin e tij, as lidhjen e tij me studenten e artit – por më tepër miken e tij enigmatike, “Linda B.,” e cila kreu vetëvrasje me librin e tij të nënshkruar në posedim të saj.

Pasioni i Lindës për njeriun që nuk ka takuar kurrë do të sfidojë vdekjen. Ndërkohë, makthi i saj i jep lëvizje skenarit, së bashku me dëshirën e saj ekstreme dhe të idealizuar për kryeqytetin shqiptar Tiranën, larg plazhit provincial ku ajo dhe familja e saj borgjeze janë internuar për shkak të lidhjeve të tyre me monarkinë e dëbuar.

Kadare po i shtrin edhe më tej kufijtë e gjuhës shqipe, një gjuhë letrare relativisht e re, ku gjithçka është e re e që mund të rithuhet në një mënyrë të re. Ai është i pari nga shkruesit e kësaj gjuhe që e ka ngritur atë në një lartësi ndërkombëtare. Por si përshkruhet diçka përtej fjalëve? “Më mirë nëse nuk e dini” është një frazë e përsëritur në libër, së bashku me variacionet e “është e komplikuar”.

Dy vajzat, “vajzat e socializmit, siç është fraza,” e zgjidhin trekëndëshin e dashurisë tyre të përjetshme me një altruizëm mahnitës metafizik. Dhe ato i përgjigjen padrejtësisë dhe shtypjes jo me anë të rezistencës apo hakmarrjes, por me një përgjigje krejtësisht të re dhe të pakushtëzuar që e lë lexuesin të ndezur, duke kapërcyer madje edhe atë që e vlerësojmë si “liri”. Në fjalët e Kadaresë, ato lëvizin “përtej ligjeve të kësaj botë.”

Kadare ka komentuar lidhjet unike të gjuhës së tij amtare me greqishten antike dhe në të kaluarën ai ka përdorur alegorinë dhe mitin për të maskuar kuptimin dhe për t’iu shmangur censurës.

Lexuesit perëndimorë mund t’i gjejnë këto aluzione frustruese indirekte, por Kadare është mësuar të rrëfejë në mënyrë të pandjeshme, madje edhe në një epokë post-totalitare ku çdo gjë është e mundshme.

Ai i kthehet në mënyrë të përseritur te legjendat rreth Orfeut, për shembull, shtimi i dy vargjeve të lirikën tradicionale – në tregimin e Kadaresë, një zbulim rrënjësor që shkakton një skandal burokratik në Olimp.

Autori nuk e lidh historinë e tij me atë klasiken shumë ngusht, por paralelet janë të dukshme – për Rudianin me fantazmën e tij të ndaluar; dhe për Kadarenë, i cili dikur frymëzonte me mesazhet e tij që nuk kapeshin dot prej censorëve komunistë.

Dy vargje e shtuara mund të shkaktojnë më shumë se dhimbje koke te shkrimtarët, gjithsesi. Ndoshta ata krijojnë një tingull krejtësisht të ri, përtej kufijve të dëgjimit njerëzor. Në fund të fundit, ishte vibrimi që qortoi Cerberin, qenin e Hadesit, dhe e shpëtoi Euridikën e dashur të Orpheut nga nëntoka.

Në fund të kësaj historie Kadare i lejon personazhet e tij të shkelin natyrën dhe vdekjen, duke i bërë jehonë gjurmëve të Orfeut. Euridika e Rudian-it i tregon atij udhëtimin e saj të tejfjalshëm për të ardhur tek ai – të ftohtit, qenve dhe telit me gjemba që shtrihet kudo. Është një përfundim që ndriçon faqet e fundit si një flakë që shkëlqen në alabastër.