Ndërfanë/Mirditë, kanali vaditës i ndërtuar nga “Lleshi i Zi” – Nga Gjergj Marku

Nga Gjergj Marku

Një strukturë ndërtimore moderne për kohën, e shkallës së lartë të vështirësisë, kaluar nëpër shkëmbinj të fortë e të pjerrët, me patjetër duhet të propozohet për t’u listuar si monument kulture.

Mendohet të jetë i të njëjtës kohë me ujësjellësit e famshëm të Ali Pashë Tepelenës

………………..

Më ra të kaloj përgjatë 5,5 km kanal që nga Ndërfushas, Ndërfandë, Shterrë e deri në grykën e marrjes së ujit të kanalit të vjetër, i quajtur si kanali i Kapidanit të Mirditës të viteve ‘800-të, Lleshi i Zi prej Oroshit.

Emri i tij përmendet për bëma mitike, një personalitet i papërsëritshëm për kohën kur jetoi, i njohur për trimëritë e pakrahasueshme, edhe pse brutal dhe i frikshëm përballë çdo armiku, Prijësi kapidanor, i cili e katërfishoi sipërfaqen e Trevës së Mirditës deri në 12 bajrakë nga 3 apo 5 që ishin për disa kohë.

Siç shkruan historiani Paulin Z. Zefi, nofkën “Lleshi i Zi”, ai e ka marrë nga pamja e tij, pasi autorët e kohës e përshkruajnë si një burrë shumë të gjatë dhe të fuqishëm me ngjyrë të zeshkët të lëkurës dhe me një pamje te ashpër prej malësori të vërtetë, i armatosur gjer në dhëmbë.

Ai vishej gjithmonë me të zeza dhe në fushën e betejës të kallte frikën deri në palcë…”.

Por kësaj rradhe nuk do të flasim për bëmat e tij si prijës e luftëtar në beteja, por për një aspekt tjetër, epjen e tij për zhvillimin e krahinës, çka të çon në një lloj përqasjeje me atë të Ali Pashait të Jugut.

Ashtu siç ky i fundit ndërtoi ujësjellës, ura e rrugë, edhe “Lleshi i Zi i Mirditës” do të mbahet mend për vepra ndërtimore ku spikat sidomos kanali vaditës i Ndërfandës (plot 5,7 km i gjatë), një vepër e shkallës tejet të lartë të vështirësisë në projektim dhe ndërtim.

Edhe sot e asaj dite (besoj mund të jetë ndërtuar rreth 1820-s), kanali vazhdon të ushqejë me ujë sipërfaqen e tokës së punuar, Shterrë, Ndërfandë, Ndërfushas me ujin e lumit Fan i Vogël.

Një kanal gjigand, që kalon nëpër theqafje të frikshme. Por ndërtuar me strukturë të jashtëzakonshme.

Edhe pse Bonifikimi i viteve të Socializmit ka ndërhyrë në vitin 1982 apo janë bërë disa ndërhyrje më vonë në Demokraci, sërish rikuperimet e reja janë prishur disa herë, ndërsa muratura e kohës së Lleshit të Zi qëndron stoike, e paciflosur.

Nuk kemi studim të mirëfilltë për mënyrën e ndërtimit, teknikën, projektimin nëpër shkembenj, faktin e disa kalimeve të paimagjinueshme nëpër krepa e hone, urat e varura po nëpër shkembej të zi me elementin e vështirë ndertimor, hark, ndaj thjeshtë po paraqesim këto foto të fokusuara sot.

Natyrisht, do e propozojmë si objekt të trashëgimisë kulturore, sepse është i llojit të veçantë në Shqipëri.

Dhe për më tepër ka me dhjetra fragmente me datim mbi dy shekuj, të pashkëputura, që vazhdojnë të shërbejnë edhe ne ditët e sotme në sjelljen e ujit përgjatë verës nga gryka e marrjes në Lumin Fan i Vogël e deri në sipërfaqet e punueshme të tokës në një prej Ultësirave të begata të Rrëshenit.

Kështu është akoma me mirë, me një shërbim të dyanshëm, edhe për bujqësinë, edhe për historinë e turizmin ne Mirdite!