Lezhë/ 3 mijë familje përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike

Skema e re e ndihmës ekonomike ka sjellë përgjysmim të familjeve përfituese në qarkun e Lezhës.

Ky fakt bëhet e ditur nga Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror në Lezhë, Keler Sufja, sipas të cilit familjet e larguara nuk plotësonin kriteret e përcaktuara, duke nxjerrë në këtë mënyrë në pah edhe abuzimet që janë bërë deri më tani.

Sufja ka bërë të ditur se Shërbimi Social Shtetëror do ti verifikojë të gjitha rastet e familjeve të larguara nga skema, pasi shumë prej tyre kanë paraqitur ankesë, duke deklaruar se janë penalizuar padrejtësisht.

Numri i familjeve që nuk do të përfitojnë më ndihmë ekonomike në Qarkun e Lezhës është 3041, ndërsa numri më i lartë i të larguarve është në Bashkinë e Kurbinit.

Me aplikimin e skemës së re synohet që abuzimet e deritanishme me ndihmën ekonomike të marrin fund.