Ku e gjetët këtë sistem psikopat, o Zoti Ministër!

I prisnim gishtërinjtë me thikë dhe me atë pak gjak që rridhte lyenim fytyrën, kështu na kishin mësuar të bënim sa herë që bëhej seleksionimi, që të dukeshim më të fortë, më të aftë për punë, më të gjallë. Kjo ishte e vetmja mënyrë t’u shpëtoje syve psikopatik të nazistëve të cilët na rreshtonin dhe nëse të preknin krahun e djathtë do shkoje të përdoreshe si krah pune, nëse të preknin të majtin do shkoje te dhoma me gaz. (Shkëputur nga Viktor Frankl, kujtimet e një të mbijetuari nga kampet e përqëndrimit).

Pra, nazistët nuk kishin një sistem pikëzimi për të të çuar në dhomat me gaz apo për të të dhënë mundësinë të vdisje pak nga pak duke thyer shkëmbijn duar e këmbë lidhur me vargonj. Vlerësimi ishte subjektiv, mjaftonte që oficerët nazistë të të shihnin çehren. Çehra jote ishte fati yt, ishte kufiri që ndante jetën me vdekjen. Një moment mërzie, kapitjeje apo një muskul i fytyrës i karikuar keq do të ishte fatal.

Por mos u gaboni thoshte Frankl, nazistët e kampit në Aushvic nuk ishin njerëz të ërret, vrasës pa pikë dhembshurie. Madje, më ka qëlluar mua ashtu siç edhe të burgosurve të tjerë që vetë ata, oficerët nazistë e vidhnin bukën në mensën e tyre dhe na e jepnin fshehtas që të mbanim frymën gjallë.

Krimet më të mëdha, vrasjet dhe veprimet ç’njerëzore që kanë mbetur në histori në fakt nuk i bënin nazistët por ata që kishte përzgjedhur makineria hitleriane. Nuk dihet ende sot e kujt kishte qënë ideja e kobshme të sugjeronte që të sëmurët e reparteve të psikiatrive gjermane t’u visheshin uniforma ushtarake dhe të mbanin rendin në Aushvic me kompentenca të plota ushtarake.

Ata e dinin shumë mirë çfarë po bënin, e dinin se këta njerëz do të vrisnin pa mëshirë, pa më të voglin merak, pa drojë, pa u menduar dy herë. Pse?

Sepse ata ishin të sëmurë psiqik, nuk kishte sesi që ata të provonin dhembshuri për një qënie tjetër, ata ia merrnin jetën tjetrit qoftë edhe për një zbavitje të çastit.

Ishin pikërisht këta, nazistët e sëmurë psiqik që bënin seleksionimin, e prapseprapë një shpresë sado e vogël për jetën ekzistonte, nëse e lyeje fytyrën lehtë me gjak, lëkura mund ta krijonte idenë e njeriut energjik, i aftë për punë, jo i gatshëm për vdekje.

Nëse sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike në Shqipëri do të përdorej në Aushvic ai do të ishte edhe më i tmerrshëm sesa më psikopati prej nazistëve. Sepse sistemi i pikëzimit nuk e sheh dot çehren. Sistemi nuk gjykon subjektiven, sistemet kompjuterike nuk kanë dhembshuri, ata janë si zotat e testamentit të vjetër: të pamëshirshëm, nuk të falin!

Ju mendoni se sistemi i OSHEE nuk ishte i tillë?

Inxhinierët e teknologjisë dhe ata të fushës e dinë shumë mirë se sistemi i OSHEE-së ka kushtuar pothuajse asgjë, sepse është programuar nga një person i vetëm (për pasion), i cili ky i fundit, pasi u largua nga OSHEE e mori me vete një kopje të sistemit dhe e përdori për UKT (Ujësjellës Kanalizime Tiranë). Verifikojeni sistemin online të faturave UKT me atë të OSHEE, jam i gatshëm të hap sfidën me çdokënd që arrin të gjejë një ndryshim të vetëm midis të dyve.

Sistemi Elektronik i OSHEE, ndryshe nga ai i Tatimeve që ka kushtuar 10 milionë dollarë, ky i OSHEE pra, ishte i nivelit amator, i krijuar nga një djalosh i aftë sa për të kryer një funksion të thjeshtë, gjenerim dhe printim fature.

Por çfarë ndodhi?

Kur Kryeministri i vendit shpalli Reformën në Energji, sistemi ishte psikopat komplet në krahasim me thellësinë e reformës, ai nuk i përgjigjej dot elektronikisht të gjitha llojeve të halleve dhe konflikteve të mbartura të klientëve me shtetin. Sistemi nuk ishte në gjendje të përllogariste pagesën me këste, nuk ishte në gjendje të kryente korrigjimet në kohë reale për gjobat, madje, sistemi nuk ishte në gjendje as të fshinte gabimet e veta (u shtuan më vonë këto funksione).

Një sistem idiot që ua nxorri shkumën e gojës shqiptarëve të shkretë, qoftë atyre që ishin në rregull me shtetin qoftë atyre që donin të rregulloheshin me shtetin.

Por njerëzit e zakonshëm nuk marrin vesh nga këto punë, ata që vuanin e shihnin shëmbëlltyrën e sistemit tek ai që ishte në krye të vendit, e ky i fundit, as që e dinte se një reformë kaq kapilare me një sistem kaq psikopat nuk shkriheshin dot sëbashku në favor të qytetarëve.

E njëjta histori po përsëritet me sistemin e pikëzimit të ndihmës ekonomike që në sportelet e administratës së Lezhës sheh turma njerëzish me çehren e vdekjes në fytyrë, ca klithma të mbytyra që kërkojnë mëshirën e sistemit psikopat të pikëzimit dhe mure të gërvishtura përreth dritares së sportelit nga ata që duke mbajtur radhën për një kohë të gjatë në pritje të një fjale të mirë prekja e murit u ushqen atë pandehmën e afërsisë me punonjësin mëshirues.

Ata nuk e dinë se punonjësi s’ka faj as gjë në dorë, as drejtori s’ka faj as gjë në dorë, as prefekti s’ka faj as gjë në dorë… i vetmi që duhet të përgjigjet është komisioni që është marrë me grupin e programuesve që kanë krijuar këtë sistem psikopat, makineri që u heq të mbyturve të zakonshëm të këtij vendi edhe kafshatën e fundit.

Sistemi i pikëzimit është programuar keq dhe këtë e themi me bindje të plotë, duhet ndërruar sa mëparë, dhe ata që kanë punuar për krijimin e tij duhet të japin llogari, sot nuk dëgjohen, por rrinë strukur, ndërsa të tjerët më e shumta që mund të bëjnë është të vjedhin ndonjë copë bukë e t’ua japin fshehtas të mjerëve të zakonshmë të këtij vendi.

 

*Redaksional i Lezha News