Koha për spastrim politik, shqiptarët t’i tregojnë vijën e kuqe Edi Ramës – Nga Eglantina Mirashi

Nga Eglantina Mirashi

Që Shqipëria është vendi i çudirave të mëdha, për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Që Shqipëria është vendi më i varfër në Ballkan dhe Europë as kjo nuk ka vend më për diskutim.

Por të mendosh që politika udhëheqëse e një vendi të bëjë çdo përpjekje dhe të mundohet me çdo kusht të “vrasë” qytetarët e saj, kjo nuk është parë e as dëgjuar as në vendet më korruptuara në planet. Edhe Koreja e Veriut i trajton më mirë qytetarët e saj.

Sot në vitin 2018 jemi dëshmitarë se si qeveria e Edi Ramës po përbalt, po tallet, po përçmon dhe po gajaset së qeshuri me “Mjerimin Migjenian” që ka krijuar me kujdes në këto 28.000 km katrorë që quhet Shqipëri, i cili është bekuar nga Zoti e mallkuar nga njeriu.

Nuk di nga t’ja nis, ka shumë skandale që i kanë plasur në dorë këtij Kryeministri dhe kësaj qeverie. Dhe prapë se prapë, predikon rritje ekonomike e rritje të mirëqenies në popullatë madje aq sa shtetet fqinjë. Një gënjeshtër e madhe e thënë nga një gënjeshtar i gjatë.

Me një firmë të një “kuqalasheje” të hedhur e bardha mbi të zezë, qeveria dhe me saktë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale largoi nga skema e ndihmës ekonomike më shumë se 20.000 familje të varfëra.

Të gjithë e kemi parë skamjen e tyre, kemi parë mënyrën e jetesës ku varfëria është ulur këmbëkryq në odën e zbrazët dhe heshtja krenare e burrave dhe grave të ndershëm buçet si një pickamë mortore. Qeverisë i duhen këto para, nuk ka më në xhep paratë e drogës së trafikuar, armëve të përcjella jashtë kufinjve dhe të korrupsionit masiv.

Timonierit i duhen para për t’u pensionuar, i duhen para për të paguar gjyqtarët dhe prokurorët që të shpëtojë nga burgu disa nga miqtë, kolegët dhe ish-kolegët në PS, Parlament e Ministri.

Dhe në rastin më të keq, këto para i duhen që t`i hedhë në fushatën e ardhshme, ose ose që të mbyll ndonjë gojë të pakënaqur, që nuk arriti dot ta punësonte në administratën publike. Dhe për ta mbajtur si një militant të lidhur me PS-së i lidh një pension 4 vjeçar.

Duke ja hequr këtë ndihmë varfanjakëve e duke ua dhënë të tjerëve që ta përdorin këtë shumë për karburant në makinat e tyre dhjetra mijëra euroshe. Ka ardhur koha që njerëzit të reagojnë, ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet, të kërkojë drejtësi, të kërkojë mirëqënie, të largojë xhelatin e të krijojë vetë të ardhmen.

Ditët e fundit u bëmë dëshmitarë se si Ministri për Europën dhe Punë të Jashtme Ditmir Bushati kërkoi të marrë plotfuqishmërinë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta për nisjen e negociatave me Greqinë.

Ai mori një “letër hundësh” e futi në një zarf dhe ia dërgoi Presidencës që ta firmoste. Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta i tha jo Ditmir Bushatit.

Kërkoi më shumë informacion, dhe i vendosi vijën e kuqe kreut të diplomacisë. Një veprim ky për t`u marrë si shembull nga e gjithë shoqëria dhe e gjithë Shqipëria.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm të varfër apo të pasur qofshin, të marrin shembullin e Ilir Metës, e të mos lejojnë më politikën që të tallet me njerëzit e thjeshtë duke i vendosur vijën e kuqe këtij Kryeministri që çdo ditë po e ngushton lakun në qafën e shqiptarëve.