Indrit Vokshi: “Pse marksistët si Lubonja i shohin biznesmenët si njerëz të ligj?”

I thotë Lubonja, Bashës, duhet t’i përmendësh me emra oligarkët. Pse?!

Se po nuk i përmende, je edhe ti me ata. Ky është qëndrim nga pozita marksiste-leniniste; të linçosh biznesmenë me emra, publikisht. Dhe Basha bie në ketë grackë e i thotë do merrem unë me ata.

Linçimi publik i biznesnenëve i shërben kultivimit të kulturës komuniste anti-biznes, ku biznesmeni pak nga pak vjen e bëhet shushunja dhe e keqja e shoqërisë.

Pra në ketë kulturë, njerëzit që marrin risk, arrijnë të krijojnë punë dhe sukses, kanë pikëpytjen në ballë, si e keqja e Shqipërisë. Ndaj nuk duhet kultivuar kjo mendësi.

Detyra e politikanit të djathtë nuk është t’i linçojë me emra biznesmenët. Detyra është mbrojtja e barazisë së subjekteve të biznesit në raport me ligjin. Rregullat e tregut janë njëlloj për të gjithë, kush ka më shumë talent le të ketë më shumë sukses.

Se mund edhe t’i linçosh disa me emra por të favorizosh disa të tjerë t’i krijosh rishtazi. E prapë s’ka treg të lirë. E mund të mos përmendësh askënd duke e linçuar sipas dokeve marksiste-leniniste, mirëpo kur të marrësh pushtetin mund t’i shërbesh më mirë lirisë së tregut.

Prandaj, përmendja ose mospërmendja nuk përcakton.

Kësisoji kryetari zyrtarisht i së djathtës shqiptare, z.Basha, nuk duhet të bëhet shërbëtor i kulturës anti-biznes, as duhet të kompleksohet nga askush, nga asnjë mentalitet marksist-leninist i cili kërkon linçimin e biznesmenëve thjesht pse ndërtojnë kulla.

Kullat janë biznes, nëse dikush ka tokë private mund ta ndërtojë edhe kullë, ku është e keqja këtu? Nëse këto kulla ndërtohen në pronë publike, akuzohet pushteti përkatës.

Sepse, ta sqarojmë, detyrën për mbrojtjen e interesit publik ua kemi deleguar me votë atyne që votuam, nuk e kanë detyrë biznesnenët.

Biznesmenët ndjekin interesin e tyne privat, shteti duhet t’iu rezistojë në emër të interesit të Kushtetutës që është vullneti i përgjithshëm i popullsisë.

Kryetari i të djathtës duhet t’iu rezistojë ktyne botëkuptimeve.