Alfrida Marku: “Formula e pikëzimit” një Qorrferman që po u heq bukën e gojës dhjetra familjeve…

Lezhe, largimet pa të drejtë nga ndihma ekonomike. Marku: dhjetra familjeve po i’u hiqet buka e gojes padrejtësisht

Përjashtimi pa të drejtë nga ndihma ekonomike, rëndon gjendjen ekonomike dhe sociale të qindra familjeve në Bashkinë Lezhë.

Deri në muajin dhjetor 2017, në 10 njësitë administrative të bashkisë Lezhë, janë trajtuar 1598 familje të vlerësuara në kushte nevoje apo nevoje ekstreme, familje që nuk kanë të ardhura apo kanë të ardhura të pamjaftueshme për të plotësuar kushtet bazë të jetesës.

Me fillimin e zbatimit të Sistemit të Ri të ndihmës ekonomike, numri i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është përgjysmuar, duke rënë ne 818 familje. Asnjë sqarim zyrtar për këto familje, asnjë arsye e argumentuar mbi kriteret pranuese apo kushtet përjashtuese nga skema e ndihmës ekonomike.

Drejtoresha e Ndihmes Ekonomike pranë Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku, ka dalë në terren per tu njohur me nga afër me këto familje që preken drejtpërdrejtë nga ligji i ri per ndihmen ekonomike. Marku ka vizituar disa familje të komunitetit Rom të cilat jetojnë në varferi ekstreme.

“Formula e unifikuar e pikëzimit e deklaruar si risi e këtij sistemi është jo transparente dhe e njënshme përsa kohë nuk detajon pikët e vlerësuara për çdo zë të deklarimit si dhe nuk u komunikon qytetarëve zyrtarisht mbi minimumin e pranueshmërisë në skemën e ndihmës ekonomike. Bashkia Lezhë bën thirrje strukturave të Shërbimit Social Shtetëror që në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore si dhe në emër të interesit më të lartë qytetar, ndihma ekonomike të shkojë te familjet më në nevojë dhe që realisht e meritojnë.

Familjet që vizituam sot janë sëcila në kushte të mjerueshme jetese, në mungesë edhe të nevojave minimale jetike. Të gjitha të përjashtuara padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike, ndonëse punëkërkues të papunë të regjistruar pranë Zyrës së punës, me probleme shëndetësore deri edhe në trajtim me pagesë paaftësie, me 2 ose më shumë fëmijë të mitur, në pamundësi edhe për të blerë ilaçet, të rikthyer nga emigracioni, në kushte strehimi që përbëjnë rrezik për jetën.

Të gjitha këto familje kanë qënë përfituese të rregullta të ndihmës ekonomike dhe padrejtësisht u është mohuar kjo e drejtë”, tha Marku.