“Shkaku i vdekjes së hyjnorit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: ethet e malaries, helmimi, plagosja në betejë apo paaftësia e mjekut?!” – Nga Paulin Zefi

Nga Paulin Zefi

*Albanologu kroat dhe miku i madh i Shqiptarëve “Milan von Sufflay(1879-1931)”, tek vepra e tij “Srbi i Arbanasi(Serbët dhe Shqiptarët)” e botuar në vitin 1925, duke glorifikuar “Gjakun Dinarik(Rraca Ilire)” dhe duke ngritur deri në qiell, Heroin tonë Kombëtar, ai shkruan se;

“Nga kjo rracë njerëzish fort të bukur, me gjak të nxehtë dinarik(ilir), dolën kalorës të përmendur në luftimet kufitare dhe pastaj në luftën shfarosëse me turqit. Produkti më hyjnor i këtij seleksionimi vdekjeprurës, luftëtari më i tmerrshëm, që e krijoi në përgjithësi përleshja e Europës me turqit, është “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ky edhe për së gjalli u madhërua nga Europa Perëndimore me legjenda. Paragjykimi se Skënderbeu kishte fuqi demoni, i bëri turqit që të mos besonin në kismet. Fantazia e popujve të Ballkanit, të dërrmuar prej të pafeve, krijoi prej tij heroin e këngëve të veta dhe të përrallave të mbledhura.

Qysh në shekullin XVII, por edhe në praninë e turqve, shqiptarët këndonin(da tutti gli Albanesi) këngë për Skënderbeun. Po ashtu të tilla këngë prej asaj kohe kreshnike janë ruajtur te kolonistët shqiptarë në Italinë e jugut, ku kanë gjetur dhe Macphersonin e vet (Milan Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, përktheu nga kroatishtja Prof.dr. Hasan Cipuri, Toena, Tiranë 2004, f.172)”.

Pavarësisht fuqisë së jashtëzakonshme dhe aftësive të tij mbinjerëzore, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, nuk gëzonte imunitet nga vdekja dhe ashtu si të gjitha qëniet e gjalla, ai i përfundoi ditët e tij të qëndrimit në tokë për aq kohë sa ia lejoi vullneti i Krijuesit të Gjithëpushtetshëm dhe u largua nga kjo jetë i mbuluar nga lotët e një Populli të tërë e duke shkaktuar një hidhërim të thellë tek të gjithë bashkëkohësit e tij të krishterë të Kontinentit Europian!…

Por cfarë e shkaktoi vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu?!…

Humanistët arbër dhe biografët më të hershëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si; Martin Segoni, Dhimitër Frangu, Tivarasi(Antibarensis)që vjen nëpërmjet Giammaria Biemmi-t, Marin Barleti dhe Gjon Muzaka, qëndrojnë në të njëjtën linjë me “versionin zyrtar të Republikës Veneciane” që mban dt.12-shkurt-1468, pikërisht në ditën kur lajmi i vdekjes arriti në qytetin e Venecias.

“Varianti zyrtar i Republikës Veneciane” nxirret prej një mesazhi të ambasadorit milanez në Venecia, Gherardo de Collis, i cili, në letrën që i dërgon dukës Galeazzo Sforza me dt.12-shkurt-1468 shkruan se; “Skënderbeu kaloi nga kjo jetë; kishte ethet dhe, meqë disa turq ishin shfaqur në vend, deshi t’i hipte kalit dhe vdiq brenda tri ditëve (A.Plasari, Skënderbeu-Një histori politike, Instituti i Studimeve Shqiptare”Gjergj Fidhta”, Tiranë 2010, f.754)”.

Edhe kronikani i njohur bizantin që është një bashkëkohës i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, “Gjergj Sfrances(1401-1478)”i cili asokohe jetonte në ishullin e Korfuzit, tek vepra e tij me titull “Chronicon minus” konfirmon versionet e lartpërmendura duke dhënë edhe datën e saktë të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Gjergj Sfrances shkruan se; “Në muajin janar të po atij viti(viti kalendarik bizantin 6974=1468) edhe sundimtari i Arbërisë, Skënderbeu, vdiq nga vdekja natyrale.

Dhe një pjesë të vendit dhe zotërimit të tij e morën venedikasit, kurse pjesën tjetër e mori i biri i motrës së tij(?), i cili ishte turk(mysliman) dhe i dërguar prej tij pranë sulltanit(Gj.Sfrances këtu përzien ngjarjet)(Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë shek.X-XV, përgatitur nga Koço Bozhori dhe Filip Liço, Tiranë 1975, f.360)”.

Përveç variantit zyrtar të Republikës Veneciane që lidhet me vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, pra “Vdekja e shkaktuar nga ethet”, teori që është cituar, mbrojtur dhe argumentuar nga të gjithë biografët më të hershëm të Heroit tonë Kombëtar duke nisur që nga M.Segoni, Dh.Frangu, Tivarasi(Antibarensis)enigmatik i G.Biemmi-t, M.Barleti dhe Gj.Muzaka.etj. kemi edhe katër variante të tjera të servirura nga burime të ndryshme historike, të cilat, edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e disa historianëve, këto variante janë trajtuar me shumë rezerva dhe kryesisht janë anashkaluar apo edhe fshehur duke i tajtuar si hipoteza që s’mund të shërbejnë për të zbuluar të vërtetën historike!.

Gjithsesi, pavarësisht faktit nëse janë të vërteta ose jo, këto katër versione meritojnë vëmendjen e duhur si çdo burim tjetër historik sepse vetë “Historia” është një disiplinë shkencore që karakterizohet nga relativiteti, larmishmëria befasuese dhe pafundësia e informacionit.

Katër variantet që kundërshtojnë “Ethet vdekjeprurëse” si shkaktar të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, janë;

1)-“Me dt.1-mars-1468, ambasadori mantovan në Raguzë(Dubrovnik), Giovanni Francesco de Maffei, i shkruan markezit të Mantova-s duke e njoftuar se “Scandaribech e stato morto in bataglia cum una freza(Skënderbeu vdiq në betejë nga një shigjetë)”.

2)-“Humanisti, historiani dhe teologu i njohur italian Raffaele Maffei/Volaterranus(1451-1522) në veprën e tij enciklopedike me titull”Commentariorum rerum urbanarum libri XXXVIII” e botuar fillimisht në Romë në vitin 1506 dhe më pas në Paris në vitin 1516, i mëshon teorisë së helmimit duke shkruar se; Si erdhi në Romë,(Gj.Kastrioti) u kthye në atdheun e tij ku thuhet se mbas pak kohe, vdiq prej helmit”.

3)-“Kleriku dalmatin(italo-kroat) Ludovico Tuberoni në veprën e tij “Commentariorum de rebus” që është punuar midis viteve 1500-1527 dhe botuar në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1603, thotë se; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u vra me një shigjetë të helmuar nga njerëzit e vet”.

4)-“Kalorësi venecian Giovanni Sagredo tek “Memorie Storice” shkruan tekstualisht kështu; Mori nel proprio letto ammazzato dal male o, come altri vogliono, dall’inesperienza del medico(Ai vdiq në shtratin e tij i vrarë nga e keqja/sëmundja ose, siç dëshirojnë të tjerët, nga pa’aftësia e mjekut)”!….

*Pra, nëse përdorim një metodë të thjeshtë krahasuese duke analizuar variantet e lartpërmendur; nuk është aspak e lehtë për të saktësuar, përjashtuar apo përzgjedhur se cili prej tyre përfaqëson të vërtetën e hidhur që fshihet pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar; ose ndoshta, të gjitha këto të dhëna janë thjeshtë njoftime të gabuara, spekullime, teori konspiracioni, dyshime dhe hamendësime krejtësisht të pabaza që nuk ia vlen të merren në konsideratë!.

*Nga ana tjetër kemi edhe qëndrimet e kronikanëve osmanë të cilët, pavarësisht urrejtjes patologjike që ushqejnë kundër Heroit tonë Kombëtar, këtë vdekje të shumëpritur ia atribojnë vetëm natyrës, pra nuk aludojnë për një vdekjen të shkaktuar nga”helmimi”, por nëpërmjet një përpjekje të dëshpëruar, ata rreken që ta paraqesin këtë ngjarje duke nënvizuar faktin se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq i mundur nga Sulltan Mehmeti i II-të Fatih!.

Duke i marrë sipas rendit kronologjik, i pari kronikan osman që flet për vdekjen e Heroit tonë Kombërar është bashkëkohësi i tij, Tur Sina ose Tursun Beu, i cili, fillimisht ka qenë sekretar i divanit(divan katibi), ka shërbyer në postin e defterdarit të Anadollit e më pas në atë të Rumelisë por gjithashtu ka qenë biografi dhe shoqëruesi i Sulltan Mehmetit të II-të Fatih në shumë fushata pushtuese ku përfshihen edhe dy fushatat e tmerrshme kundër Arbërisë (1466-1467) gjatë të cilave u zhvillua një gjenocid me përmasa të llahtarshme ku osmanët shfarosën pjesën më të madhe të popullsisë autoktone në Arbërinë e Mesme, Tursun Beu shkroi një histori të Sulltan Mehmetit të II-të Fatih me titull “Tarih-i Ebu’l-Feth(Historia e atit të pushtimeve) dhe aty thotë se;

“Rebeli Skënderbe, duke ia mbathur porsi bretkosë prej goditjes gjëmëmadhe të ushtrisë osmane, shkoi në bregdet. Edhe atij kordha e zellit të Sundimtarit i dha lejen që të shkonte në Mbretërinë e të Vdekurve. Atë kohë kur ky ndëshkim pllakosi mbi shqiptarët dhe Shejtani i tyre shkoi drejt e në ferr, njerëzit që jetonin në malet e ashpra që rrethojnë fortesën e Elbasanit, u dhanë lamtumirën atyre vendeve dhe zbritën në rrafshinën e fortesës(Tursun Beu, Kronikat e Tursun Beut, botimet IDK, Tiranë 2011, f.155)”.

*Kronikani osman Ibn Kemali ose Kemal Pashazade(1468-1534) në veprën e tij me titull “Tevarih-i al-i’osman(Histori e dinastisë osmane)”, duke i kënduar fitore imagjinare sovranit osman, shkruan se;

“Iskënderi, i cili u hodh në det i djegur nga zjarri i disfatës, u drejtua për në Venedik për të zierë edhe një herë në zjarrin e prapësive, kazanin e ngatërresave. Në atë kohë ai hyri në errësirën e botës së hiçit dhe eci në rrugën e pusit të skëterrës. Era e fatit(pra jo helmimi) e thau burimin e jetës së tij.

Këto ngjarje ndodhën në vitin 871(1467).

Lajmi i vdekjes së atij të mallkuari, i cili u bë lëndë djegëse e skëterrës, u përhap tek shqiptarët. Në këtë mënyrë shtylla e fortë e kryengritësit që ndodheshin nëpër male, zbritën ndër fusha dhe ju nënshtruan frenave të urdhrit të sulltanit(Lufta shqiptaro-osmane 1370-1530, Burime osmane, përgatitur për shtyp nga Selami Pulaha në 1968, enti botues Helga Secrets, Tiranë 2009, f.190)”.

*Ndërsa, historiani i njohur osman Hoxha Sadedin(1536-1599) në veprën e tij me titull “Tac-ut-Tevarih(Kurora e historive)” e botuar në vitin 1575 duke shfrytëzuar të gjitha veprat historike të mëparshme të kronikanëve para’ardhës, përsa i përket vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, shkruan se;

“Ai, fill i vetëm dhe me lot në sy doli në det të frëngut i trishtuar e plot mall(për vendet e humbura). Ai u fsheh në një kënd dhe mbaroi si një njeri që pësoi disfatë. Ato vende me përpjekje plot mbarësi e të përshtatshme të madhërisë së tij sulltanit, u pastruan nga trupat e fëlliqur të paganëve.

Ushtria islame ja arriti qëllimit të saj duke kapur një plackë të madhe(Lufta shqiptaro-osmane 1370-1530, Burime osmane, përgatitur për shtyp nga Selami Pulaha në 1968, Enti botues Helga Secrets, Tiranë 2009, f.237)”.

*”Rikthehemi tek humanisti drishtian, arkëtari dhe këshilltari i Heroit tonë Kombëtar; Kleriku Katolik Dhimitër Frangu dhe biografët më të hershëm, të pasuar nga një listë e gjatë autorësh të mëvonshëm, të cilët ndjekin linjën e Dh.Frangut”;…

Pavarësisht se vepra e humanistit arbër Martin Segoni, për nga vjetërsia e saj, rivalizon biografinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu të punuar nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë Dhimitër Frangu; në fakt kjo e dyta, rezulton se e ka parë dritën e publikimit që në vitin 1480 pasi u stampua nga shtypshkronja e gjermanit Erhard Rathold qe botonte vetëm libra në gjuhën latine, pra të paktën një vit përpara se të përmenden “Tregimet”e Martin Segonit”!.

Gjithashtu, në qoftë se duam të krijojmë një panoramë sa më të qartë lidhur me ngjarjet që u zhvilluan gjatë viteve të fundit të jetës së hyjnorit Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe sidomos për aktin përfundimtar kur edhe u mbyll sipari i Motit të Madh të Arbërit nëpërmjet largimit nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar me dt.17-janar-1468 në qytetin e Lezhës; asnjë biograf i tij nuk e gëzon kredibilitetin e Dhimitër Frangut.

Ai ishte dëshmitar okular i të gjitha këtyre ngjarjeve dhe bashkëudhëtari i tij besnik deri sa “Kryezoti i Arbërisë” lëshoi frymën e fundit duke kaluar në jetën e vërtetë por gjithashtu, Dhimitri ishte Prifti i cili i dha bekimet e fundit pas “Sakramentit të shenjtë të Rrëfimit”.

Vepra e shkruar nga humanisti Dhimitër Frangu përfaqëson një burim të dorës së parë dhe ka shumë mundësi që të gjithë biografët e mëvonshëm, shqiptarë apo të huaj, të Heroit tonë Kombëtar të jenë bazuar tek dëshmitë e këtij autori por që rrallë e kanë cituar si referencë duke kryer kështu, një plagjiaturë të pastër.

Mjerisht, disa prej tyre kanë shkuar deri aty sa të përvetësojnë edhe materialin e plotë bruto, siç është rasti i humanistit italian Paolo Giovio.

Lidhur me vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, tek vepra e tij “Gli illustri e gloriosi gesti e vittoriose imprese fatte contro i Turchi dal Signor Don Georgio Castriotto detto Scanderbeg, principe d’Epiro(Vepra të shquara e të lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare të bëra kundër turqve nga Gjergj Kastrioti i njohur si Skënderbeu, princi i Epirit)”, Kleriku Katolik Dhimitër Frangu që ishte i pranishëm në çdo moment pranë Heroit tonë Kombëtar, thotë se;

“Pikërisht atë ditë, në të cilën turqit e lebetitur iknin me vrap, pa qenë fare të ndjekur prej ndonjë armiku(pas Betejës së Kirit), kristiani i devotshëm Skënderbe linte këtë jetë tokësore për t’ia besuar shpirtin e vet Perëndisë, në vitin 1467, në moshën 63 vjeçare.

Ai u varros në Kishën e Shën Nikollës, në Lezhë, me solemnitet e nderim të madh, përcjellë me vajtime e vome nga mbarë vendi, vajtim që kurrë nuk ish parë e dëgjur në ato vise të Epirit.

Kudo dëgjohej gjithë ai rrëmet njerëzish prej të gjitha klasave, që e quante plot dhëmbje e dënesë ; “O Skënderbe, o Princi ynë i mirë, o mbrojtësi ynë, o ngushëllimi ynë i vetëm, ati dhe vëllai ynë!

Po pse na le kështu jetimë? Sa prej nesh do t’u shpëtojnë tani duarve të turqve të egër e mizorë, të atyreve që janë e do të mbeten mallkim për çdo të madh e të vogël? Mjerë Arbëria! Mjerë provincat dhe fqinjët e saj(vajtimi i Lekë Dukagjinit)(Dh.Frangu, f.108)!”…

Humanisti Dhimitër Frangu, pasi përshkruan dhembjen e thellë që shkaktoi kjo ngjarje edhe tek mbretërit dhe popujt e tjerë të Krishterë në të gjithë Europën, përmend edhe një episod tragjik që më vonë është mbështjellë në legjenda por që është cituar edhe nga autorë si G.Biemmi dhe M.Barleti.etj.

Ai thotë se; “Njëri prej kuajve të tij më të mirë, me të cilin ai kish kalëruar dhe bërë gjithë ato vepra të mëdha dhe qe futur në beteja të rrezikshme, kalë i stërvitur më së miri përmes provash të vështira dhe që, ashtu si i zoti, qe sulur si luan, plot egërsi e vrull të tillë sa pati habitur tërë fisnikët e kapedanët që e patën parë, kalë që jashtë betejës qe aq i butë dhe qengj, ky kalë, pra, menjëherë porsa i zoti i tij dha shpirt, nisi të hingëllinte tmerrësisht dhe të kafshonte veten pa pushuar ditë e natë.

Pas asaj dite, nuk pranoi kurrë t’i vinin asnjë fre e shalë e as t’i jepnin asnjë lloj ushqimi, duke dashur vetëm të hingëllinte plot zemërim e të kafshonte veten, gjersa, për shkak të dobësimit ra përtokë e nuk u ngrit më kurrë, gjersa dha shpirt, fund ky, rëndësinë e të cilit unë e kuptoj si synim të fshehtë të Perëndisë, që i di të gjitha(Dh.Frangu, fq.108)”.

*Biografi i hershëm i Heroit tonë Kombëtar, humanisti arbër nga Novobërda(Artana) e Kosovës me origjinë nga qyteti i Kotorrit(i biri i Gjon Segonit) dhe ipeshkëvi i Ulqinit “Martin Segoni/Martinus Segonius(14?!-1482/85)”, tek vepra e tij me titull “Narrazzioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alesandro Magno (Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandri i Madh)”, një manuskript i punuar rreth vitit 1481(biografi e shkurtër) që është zbuluar e më pas publikuar nga Profesori italian dhe bizantinisti i njohur “Agostino Pertusi(1918-1979)”, shkruan se;

“Ndërkohë që(Gj.Kastrioti) ndodhej në Lezhë, pranë lumit Drin, duke u konsultuar me proveditorin venecian rreth punëve të luftës, u pushtua nga disa ethe vdekjeprurëse dhe ndërroi jetë në vitin e Zotit tonë një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë(1467), në moshën gjashtëdhjetë e tre(63) vjeçare, pasi e kishte rekomanduar Gjonin, djalin e tij, ende i ri në moshë, me të gjithë shtetin e tij duke ia besuar Sinjorisë së shquar të Republikës Veneciane(Martino Segono di Novo Brdo Vescovo di Dulcino, Istituto Storico Italiano per il Medio evo, Studi storici-Fasc.128-130, Vita e opere di Agostino Pertusi, Roma-nella sede dell’istituto, Palazzo Borromini 1981, f.144)”.

*Në veprën e humanistit shkodran Marin Barleti me titull “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis(Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve)”të botuar në vitin 1508 ose 1510 në Venecia dhe që pati një jehonë të jashtëzakonshme në Europën perëndimore, aty thuhet se; “Po atë natë që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeu, pas pendimit të shenjtë të rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke ia dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh me 17 janar në vitin 1466(?) pas Krishtit.

Skënderbeu, pra, thuhet se u nda nga kjo jetë në moshën 63 vjetsh, në vitin 24 të mbretërimit të tij. M’anë tjetër, Skënderbeu e filloi mbretërimin me 28 Nëntor, në vitin 1443.

Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur, Lek Dukagjini, princ epirot, të cilin e kemi përmendur më lart, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke çkulur mjekrën e flokët; “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë.

Sot, u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona; sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë; sor u përmbysën fronet e pushtetet tona; sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona”.

Gjithashtu Marin Barleti vijon duke përmendur skenën sesi përfundon jeta e kalit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu duke i bërë jehonë dëshmive personale të Dhimitër Frangut por pa e cituar këtë burim historik dhe më pas thotë se; “Skënderbeu u varros në qytetin Lissos(Lezhë) në kishën më të madhe të Shën-Kollit.

Ceremonia e varrimit të tij, sipas zakonit të të parëve, u bë me një madhështi të paparë; trupi i tij u përcuall me vaj nga të gjithë uahtarët dhe me pikëllim sipas zakonit të vendit nga të gjithë princët dhe kapedanët.

Dhe eshtrat e tij, që u vunë n’atë vënd, pushuan në paqe, gjersa Mehmeti, prijësi i turqve, erdhi në Arbëri dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës(M.Barleti, fq.493-494)”.

*Bashkëkohësi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, princi Gjon Muzaka, në veprën e tij me titull”Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi(Kujtim i shkurtër mbi pasardhësit e familjes sonë të Muzakajve)”e cila mban datën 1510, e zbuluar nga historiani gjerman Karl Hopf(1832-1873) në Bibliotekën Brancaciane të Napolit dhe e publikuar si pjesë integrale e veprës së Karl Hopf me titull “Chroniques gréco-romaines, Paris 1873, f.270-340”, thuhet se;

“Zot Skënderbeu, duke parë se po i merrej fryma nga armiqtë dhe me pak shpresa, u sëmur nga ethet në Lezhë dhe vdiq në vitin 1465, në moshën 63 vjeç. Mund ta merrni me mend se ç’pjesë e vendit kishte humbur me një Kapiten të tillë.

Pak bij zotërish kishin mbetur pa u vrarë në këto luftra të gjata dhe mizore. Të vjetrit pothuajse kishin vdekur si nga mosha, si nga dëshpërimet(Gjon Muzaka, Memorie, përkthyer nga Dhori Qiriazi, Toena, Tiranë 1996, f.21)”.

*Një paraqitje më të detajuar të dinamikës së ngjarjeve që u zhvilluan në momentet e fundit të jetës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe për vdekjen e tij, ka shkruar edhe humanisti i njohur italian dhe ipeshkëvi i Nocera, Paolo Giovio(1483-1552), në veprën e tij me titull “Comentari delle cose dei Turchi e del S.Giorgio Scanderbeg Principe di Epiro(Komentarë mbi punët e turqve dhe të Gjergj Skënderbeut, Princi i Epirit)”e botuar për herë të parë në Venecia në vitin 1541.

Sic e kemi përmendur pak më lart, Paolo Giovio, ashtu si shumë autorë të tjerë, ka kopjuar pothuajse fjalë për fjalë veprën e humanistit arbër nga qyteti i Drishtit, Dhimitër Frangu, pa ia përmendur emrin, por gjithashtu, mesa duket ka përdorur gjerësisht edhe veprat e humanistëve të tjerë arbër si ato të Martin Segonit dhe Marin Barletit!.

Në një tekst origjinal të botuar në gjuhën latine që po e sjell të përkthyer në gjuhën shqipe, Paolo Giovio, ndër të tjera, shkruan;

“Atque ita cum Lissi esset ad Dryllum amnem et de bellicis rebus cum praefecto Veneto consultaret, letalis cum febris invasit. Lacessente autem ea in die saevius, ubi fatalem horam adesse sensit, inpuberem filium Iohannem totius que regni opes et copias Veneto senatui commendavit.

Nec multo post e vita sublatus est, anno aetatis sexagesimo tertio, anno domini sexagesimo septimo supra quadringentesimum atque millesimum(Dhe kështu, kur ishte në Lezhë, që ndodhet mbi lumin Drin, duke u konsultuar me proveditorin venecian për çështjet e luftës, u pushtua nga ethe vdekjeprurëse.

Në momentet e fundit fatale kur po ndërronte jetë, porositi të birin Gjonin që ishte akoma fëmijë dhe ia besoi mbretërinë dhe të gjithë pasurinë e tij, Senatit Venecian.

Jo shumë kohë më pas, ai u largua nga kjo jetë në moshën gjashtëdhjetë e tre(63) vjeçare, katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë vite, lart mbi të njëmijë vitet e Zotit(1467)(Martino Segono di Novo Brdo Vescovo di Dulcino, Istituto Storico Italiano per il Medio evo, Studi storici-Fasc.128-130, Vita e opere di Agostino Pertusi, Roma-nella sede dell’istituto, Palazzo Borromini 1981, shtojca f.144)”.

*Historiani dhe dijetari erudit shkodran Dom.Ndoc Nikaj, në kryeveprën e tij “Historia e Shcypniis(Bruksel 1902)”, nëpërmjet një “Gegnishte të kulluar”, shkruan se;

“M’at ditë qi veç emni i Skanderbegut thei per rreth Shkodret ushtriët Otomane, i Madhi Shqyptar, diq n’Lesh me 17 t’Kallnorit 1467. Rrnoj 63 viet, sundoi Shqypniën për 24 viet e nder 22 lufta qi bani u daa gjith herë me fitime.

Skanderbegu kie, mundet m’u thanë, paa farë dyshimit, maa i madhi luftaar i botës pse jo veç nuk kie muitë kurr prejë kuej por me pakicë ushtarësh thei e muiti gjith herë shumicat e ushtriëve t’nji anmikut qi aso kohet pat mnerue Europën.

Deka e Skanderbegut qiti n’jazë jo veç Shqypniën por t’gjith marë Europën Kristiane qi kishte pshtetë m’të maa t’madhen uzdajë qindreset per me ndalue turrin e Otomanve n’Europë.

Skanderbegu kie vorrue n’Lesh n’Kishë t’Shënkollit qi maa vonë, kuer hiëne Otomant e ndrruene n’Zhamië e vorri i tii kie baa cak nderimit prejë ushriëve të t’tyne(Dom.Ndoc Nikaj, Historia e Shypnis, Enti botues Gjergj Fishta 2015, f.82-83)”.

*Patrioti i madh Fan S. Noli i cili bazohet kryesisht mbi njoftimet e Tivarasit(Antibarensis) të italianit Giammaria Biemmi, shkruan se;

“Pas pak ditësh, me 17 janar 1468, i mbuluar me një lavdi të përjetshme, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë. Ai u varros po aty në katedralen e Shën-Kollit. Vdekja e Skënderbeut shkaktoi një tronditje të thellë në Shqipëri.

Masat popullore e vajtuan vdekjen e tij me gjëmën rrënqethëse shqiptare. Shqiptarët humbën te Skënderbeu prijsin e lavdishëm që i udhëhoqi për një çerek shekulli në luftën e pabarabartë kundër shkelësve turq(Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke e shekullit XV, Tiranë 1967, f.90-91)”.

*Kleriku françeskan nga Trieshi i Malësisë së Madhe(sot, nën Mal të Zi) dhe biografi i Heroit tonë Kombëtar At.Athanas Gegaj(1904-1988), e nis përshkrimin e dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve që lidhen me vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu me fjalët e historianit Jacob Philipp Fallmerayer(1790-1861), i cili ka shkruar se”Ashtu si Ajaksi i Sofokliut, Skënderbeu u tërhoq nga skena, para se të përfundonte akti i III i tragjedisë shqiptare”.

At.Athanas Gegaj në monografinë e tij të titulluar “L’Albanie et l’invasion turque au XV siècle” (Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV, Louvain – 1937)”, një temë me të cilën ka mbrojtur tezën e Doktoraturës në Universitetin Louvain(Belgjikë) në frëngjisht, ndër të tjera shkruan;

“Me 17 janar 1468, Skënderbeu vdiq. Vdekja e tij shkaktoi një gëzim të madh në Kostandinopojë dhe një dhimbje të thellë dhe topitje në Arbëri dhe Perëndim. Thuhet që sa mori lajmin e vdekjes, sulltani thirri; ‘Më në fund Europa dhe Azia janë të miat.

Mallkuar të krishterët. Ata humbën shpatën dhe mburojën. Bota s’ka për të parë kurrë një luan të tillë’!… Nga ana tjetër, Lekë Dukagjini, që u ngarkua për të njoftuar lajmin e hidhur popullit, doli përpara njerëzve duke çjerrë fytyrën dhe duke i rënë gjoksit, ashtu siç është zakoni mijëvjeçar që ruhet ende në malet shqiptare.

Senjorët italianë i dërguan ngushëllime Arbërisë e siç do ta shohim më poshtë, morën masa për të shpëtuar trashëgiminë e heroit. Kufoma e Skënderbeut u varros në Kishën Katedrale të Shën Nikollit të Lezhës.

Varrimi u bë si një manifestim i madh, përmes të cilit kombi shqiptar, këtkonte të dëshmonte mirënjohjen e përjetëshme për heroin që i kishte dhuruar lirinë( Gegaj, At Athanas. OFM, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbe1405-1468, Eurorilindja, Tiranë 1995, f.121)”.

*Historiani dhe atdhetari Abas Ermenji(1913-2003) duke u bazuar tek Dh.Frangu, G.Biemmi, M.Barleti, J.P.Fallmerayer.etj. thote se;

“Kuvendi u mblodh, por Skënderbeu u sëmur nga ethet. Kur ishte keq në shtrat, një ushtëri turke erdhi nga Kosova nëpër malet me dëborë dhe rrethoi Shkodrën. Kryetrimi provoi të ngrihej për të fundmen herë dhe të rrokte shpatën, por i mungoi fuqia.

Garda pretoriane shkoi këtë herë pa kumandarin, por Turqit e pandehën në krye të saj edhe u thyen. Kur i erdhi lajmi i fitores, Skënderbeu ishte në çastet e fundit. Vdiq më 17 Jenar 1468, i rrethuar me dritë dhe lavdi të përjetëshme. U varros në kryekishën e Shën-Kollit, në Lesh.

“Si Ajaksi i Sofokliut, shkruan historiani Fallmerayer, Skënderbeu u hoq nga skena përpara se të mbaronte akti i tretë dhe i fundmë i tragjedisë shqiptare(Abas Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Çabej, Tiranë 1996, f.86)”.

Përsa i përket saktësimit të datës në të cilën ndërroi jetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ku vihet re se shumica e biografëve i referohen vitit 1467, përveç M.Barletit, Gj.Muzaka etj, që japin vitin e gabuar 1466; duhet të kemi parasysh që Martin Segoni e Dhimitër Frangu së bashku me autorët e tjerë të mesjetës së vonë por edhe deri tek ato të fillim shek.XX-të, janë bazuar në kalendarin popullor venecian dhe si i tillë, viti 1467 përkon me vitin e kalendarit julian(më vonë gregorian) 1468; pra viti i dhënë prej tyre rezulton i saktë.

*Në Historiografinë zyrtare Shqiptare, vdekja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu trajtohet në mënyrë shumë të kufizuar duke nisur që nga botimi i parë i “Historisë së Shqipërisë, I, Tiranë 1959 nga Selim Islami dhe Kristo Frashëri” dhe deri tek botimi i fundit i “Historisë Popullit Shqiptar” nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë” në vitin 2002 ku shkruhet;

“Pas largimit të trupave osmane, si detyrë e ngutshme përpara vendit qëndronte përballimi i rrënimeve dhe vështirësive të shumta të shkaktuara nga lufta. Për masat që duheshin marrë në këtë drejtim, në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë Kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës.

Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit të Kirit. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur.

Pas disa ditësh, më 17 janar 1468, në Lezhë, pushoi së rrahuri zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. “Me vdekjen e tij, – theksohej ato ditë në Senatin e Venedikut, – arbërit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe”.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi Besëlidhjen Shqiptare(Historia e Popullit Shqiptar., Vol. I, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002. f. 456)”.

* Edhe Profesori i nderuar Kristo Frashëri , tek libri i tij me titull”Skënderbeu-Jeta dhe vepra, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Toena, Tiranë 2002″, në Kreun XXVIII “Vdekja e Skënderbeut(17 janar 1468)” duke i kushtuar 6 faqe të librit(f.465-470), ai i referohet versionit të humanistit shkodran Marin Barleti, pra “vdekjes që u shkaktua nga ethet”.

*Ndërsa, disa autorë anonimë për qarqet shkencore dhe me orinentim të qartë turko-sllavo-grek, spekullojnë duke hamendësuar për “helmimin” e Heroit tonë Kombëtar nga ana e autoriteteve veneciane por ky fakt nuk mbështetet mbi asnjë burim dokumentar të besueshëm!.

Venecianët kanë qenë të famshëm për eliminimin e armiqve të Republikës nëpërmjet atentateve dhe helmimit sic edhe tentuan për të vrarë Gjergj Kastriotin-Skënderbeu në vitin 1448 gjatë zhvillimit të Luftës Shqiptaro-Veneciane(1447-1448) por në vitet 60 të shek.XV-të, Heroi jonë Kombëtar ishte e vetmja shpresë e Republikës Veneciane në luftën e gjatë kundër Perandorinë Osmane(1463-1479).

I vetmi shtet europian që vazhdonte luftën me Perandorinë Osmane duke bërë shpenzime kolosale ishte Republika Veneciane, e cila, kishte vetëm një aleat të fuqishëm dhe besnik deri në vdekje dhe ky ishte Kryezoti i Arbërisë së lirë, njëkohësisht edhe komandanti i përgjithshëm “de facto(de jure ishte i biri, Gjoni i II-të Kastrioti, 12 vjec)” i forcave tokësore të Republikës Veneciane në Gadishullin Ballkanik; hyjnori Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Prandaj, çdo lloj hipoteze apo teori që lidhet me “helmimin” e supozuar të Heroit tonë Kombëtar nga ana e autoriteteve veneciane dhe pikërisht në kohën kur ai, për ta, përfaqësonte asetin më të çmuar; kjo është një mungesë e theksuar profesionalizmi nga ana e cilitdo historian apo studiues që aventurohet duke u përpjekur që të mbrojë apo të promovojë një fakt të paqënë dhe si rezultat i mungesës së dokumentacionit, një qëndrim i tillë”Non sens” del jashtë suazave shkencore!.

Si ka mundësi që deri më sot, akoma nuk ka dalë në dritë një dokument që t’i implikojë autoritetet veneciane në gjoja “helmimin”e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, përderisa asnjëri nga biografët e tij të hershëm nuk e përmend diçka të tillë?!

Në qoftë se Martin Segoni, Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti ishin provenecianë, atëherë pse nuk e citon as Gjon Muzaka i cili emigroi në Italinë e jugut menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe që e mbylli jetën në Mbretërinë e Napolit, rivalen kryesore të Republikës Veneciane në Gadishullin Apenin?!…

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, me të vertetë që sundonte me një “mandat hyjnor”, kishte aftësi mbinjerëzore, që ishte i pathyeshëm në fushën e betejës, rezistent dhe shumë i fuqishëm fizikisht, i pamposhtur dhe i gatshëm për të luftuar sa herë që ta kërkonte nevoja për mbrojtjen e atdheut nga hordhitë barbare apo nga çdo lloj kërcënimi tjetër, por; askush nuk mundet që t’i shpëtojë vdekjes e cila nuk kursen asnjë qënie të gjallë, dhe në këtë rast, “Engjëlli i vdekjes” iu shfaq në qytetin e Lezhës me dt.17-janar-1468, pas 3 ditësh të stërmundimshme gjatë të cilave; Heroi jonë Kombëtar po përpëlitej në shtrat i mposhtur nga “Ethet e tmerrshme të Malaries”.

Po të njëjtin fat, 12 vite më parë, e kishte patur edhe miku dhe aleati i tij besnik, Vojvoda i Transilvanisë, tmerri i osmanëve dhe “Athleta Christi hungarez”; “Janosh Huniadi(1406-1456)” i cili kishte ndërruar jetë me dt.11-gusht-1456, pasi në garnizonin e Kështjellës së bardhë(Beograd)në brigjet e lumit Danub, kishte pllakosur një epidemi e tmerrshme(ethet e malaries) disa ditë pasi ai triumfoi kundër Sulltan Mehmetit të II-të Fatih gjatë rrethimit të Beogradit(dt.4 deri me 22-korrik-1456)!…

Vdekja e hyjnorit Gjergj Kastriotit-Skënderbeu shënon edhe fundin e qëndresës antiosmane në Ballkan duke u pasuar me nënshtrimin gradual dhe rënien e Arbërisë nën zgjedhën e rëndë të shtetit feudal-ushtarak osman pas pushtimit të Krujës(1478), Lezhës(1478) dhe Shkodrës(1479) por gjithashtu, Europa perëndimore e mbetur pa mbrojtësin e saj të vetëm; për herë të parë do të provonte në tokën e saj, barbarizmat e Perandorisë Osmane.

Një ushtri osmane(128 anije me 18.700 trupa) e komanduar nga veziri i madh Gjedik Ahmet Pasha(renegat arbër) që ishin nisur nga Gjiri i Vlorës(Pashaliman), zbarkuan në brigjet e Italisë së jugut me dt.28-korrik-1480 ku pushtuan qytetin Otranto-s me dt.11-gusht-1480 duke i masakruar të 12.000 banorët e tij(14-gusht-1480) e ndërsa Katedralen e adaptuan si xhami duke terrorizuar të gjithë Italinë.

Vitin që pasoi, trupat e krishtera, ndër ta edhe shumë luftëtarë arbëreshë, të komanduar nga Ferdinandi i Aragonës që kaluan në ofensivë; e rrethuan qytetin e Otrantos me dt.1-maj-1481 duke i detyruar osmanët që të dorëzohen në muajin gusht dhe në fillim të shtatorit 1481, ata u dëbuan nga kështjella e qytetit duke i dhënë fund një pushtimi që zgjati plot 13 muaj.

*”Admirimi i em e i çdo Europjani të ndritun do t’ishte ai qi asht; Skanderbegu e Shqiptarët u flijuen për qytetnimin europian” shkruan me të drejtë albanologu italian At.Giuseppe(Zef) Valentini(1900-1979), i cili ishte një ndër themeluesit dhe më pas Sekretar i përgjithshëm i “Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare(1940-1944)”, institucion kulturor dhe shkencor që i parapriu “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.

Gjithashtu, i madhi At.Giuseppe Valentini drejton edhe një apel që duhet të kumbojë fuqishëm në ndërgjegjen e çdo studiuesi dhe historiani që merr guximin për të shkruar në lidhje me jetën dhe veprat e jashtëzakonshme të hyjnorit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ku ai na porosit se; “Kush mos të mendojë – se do t’ishte jo veç mëkat, por punë e pamujtun – me zvoglue madhnin e Skandërbegut në masë të nji herou vendas mendeshkurt.

Skandërbegun e ka gjith Kështenimi, e ka Europa, e ka bota të vetin, e nëpër të e vetëm nëpër shpirt të ti, ja njef vëlerën e meritat e hershme edhe Shqipnis (Shejzat, Nr. 4-6(1968) që citohet në librin Skënderbeu dhe Papati1442-1467, At.Giuseppe Valentini, Botimet Plejad, Tiranë 2013, f.65)”.