Rama kujton viktimat e “21 janarit”: Të vrarët në Bulevard u rivranë në Gjykatë…

Ditën e sotme shënohen plot 7 vite nga ngjarja tragjike e “21 janarit”, ku 4 persona mbetën të vrarë në bulevard teksa protestonin me Partinë Socialiste, në opozitë në atë kohë.

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Kryeministri familjarët e viktimave të “21 janarit”, ku gjatë fjalës së tij theksoi se ‘të vrarët në Bulevard u rivranë në Gjykatë, por drejtësia nuk vonon.”

“Në këtë ditë të vitit, për ata burra që u vranë në këtë Bulevard 7 vite më parë, është kthyer në një moment të pazakontë përkujtimi, në një boshllëk të drejtësisë së munguar. Një pasqyrë kombëtare e betejës së shpallur në 3 vitet e fundit për një reformim drastik të sistemit të drejtësisë ku në çdo hap përballemi me celulat anti-reformë.

Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në jetë prej 7 vitesh. Fëmijët e tyre 7 vite më të rritur, plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjarëve, 7-fish më e madhe.

Të vjen në mend shprehja latine: “Ja vlen të shkatërrosh botën për të vendosur drejtësinë në këtë, apo atë jetë”.

Ka ikur dhe një vit tjetër, dhe drejtësia ka vonuar sërish. Të vrarët në Bulevard u rivranë në Gjykatë por drejtësia nuk vonon. Vigjilja e 21 janarit e bëjnë lënguese spazmën, e shpërthen mllëfi i padurimit, që i adresohet politikës, qeverisë, mua pa dyshim,” – tha Rama.