Deputeti Ndreu: Si e bëjnë gjumin e natës përgjegjësit e vrasjeve të “21 Janarit”?

Deputeti socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka hedhur akuza të forta në drejtim të Bashës dhe Berishës për vrasjen e katër demonstruesve të opozitës në 21 janar 2011, përballë Kryeministrisë.

I ftuar në studion e “Report Tv”, deputeti i PS tha se “nuk është marrë asnjë masë kundrejt Gardës që vrau 4 persona, që nuk kishin kryer asnjë krim dhe ishin të pafajshëm”.

Ai kthehet pas në kohë dhe kujton se në atë periudhë ka qënë deputet i Kamzës dhe se ka qënë në protestë. Po kështu ai shtoi se ka qënë një sistem i organizuar shtetëror që vret dhe nuk heton vrasjen e 4 personave të pafajshëm.

“Në atë kohë isha deputet i Kamzës dhe isha në protestë, njerëzit kishin ardhur për të protestuar dhe u vranë në një moment kur protesta po shpërndahej”, tha Ndreu.

“Ishte një sistem i organizuar shtetëror, që vret dhe nuk heton vrasjen e 4 personave të pafajshëm, habitem se si e bëjnë gjumin rehat përgjegjësit e kësaj vrasjeje”, vijon Ndreu.

Ndreu thekson se, “ne pretendojmë që të bëjmë ç’është e mundur që të instalojmë një  sistem drejtësie funksionale dhe kjo ditë do të vijë shumë shpejt”.

“Kush ishin personat civile që hynë në Kryeministri për të mbrojtur kryeministrin e asaj kohe? Pse u zhduk hardisku i kamerave? Kush futi duart aty?”.

I pyetur se kush janë përgjegjësit për vrasjen e 4 personave, Ndreu tha se; “Një grup do të vendoset një drejtësi e re dhe ka një grup tjetër që nuk e do këtë. Pse nuk e duan drejtësinë e re? Kjo është e kuptueshme”.

Të gjithë deputetët mund të ishin plagosur, pasi ne ishim atje mes protestuesve, biles unë bëra thirrje nga furgoni i mediave që të ndalohej zjarri, se po vriten njerëz.

Videot janë parë më kujdes nga hetuesia për të parë nëse ndonjë deputet i PS, ishte i përfshirë, por nuk kishin çfarë të gjenin”, thotë Ndreu.