A e përshpejton Bashkimi Ekonomik projektin e Bashkimit Kombëtar?

Delirizmi qe ka pushtuar Shqiptaret matane kufirit, perkatesisht Kosovën mbi përdorimin e Euros dhe të qënurit me fat që aderojnë në këtë monedhe është sa i dëmshëm aq i pafajshëm.

Është i dëmshëm sepse nga përdorimi i EURO-s Kosova ka thelluar më tej varfërinë dhe është e kapur peng nga politikat monetare të bankave qëndrore që shtete si Kosova duhet të pranojnë pa kushte ndryshimet në ta. Gjithë ky entuziasëm i shprehur duhet të jepte efekt të kundërt.

Zgjedhja e Euros si monedhë pas Markës gjermane në 2002 dështoi në projektimin për të sjellë rritje ekonomike, stabilitet dhe punësim.

Është i pafajshëm sepse përsonat që përfliten të jenë njohës të mirë të fushës së ekonomisë kanë bërë artikuj pa fund për t’a shtuar këtë delirizëm. Si në cdo fushë edhe ekonomistët në Kosovë u shërbejnë çarqeve të caktuara interesi që u leverdis për të lënë popullin e paditur dhe të pambrojtur nga rreziqet. Pra populli është i manipuluar nga specialistë të fushës.

Avokatët e Euros dhe të krijimit të saj me të drejtë argumentuan se nuk ishte vetëm një projekt ekonomik që do sillte rritje të standartit të jetesës përmes rritjes së eficencës në shpërndarjen e burimeve, duke ndjekur parimet e avantazheve krahasuese, rritjen e konkurrencës, përfitimin e avantazheve nga ekonomia e shkallës dhe fuqizimin nga stabiliteti ekonomik. Më e rëndësishmja ishte projekti politik, i cili është supozuar të çonte në rritje të integrimit politik në Europë, ti afrojë njerëzit dhe shtetet me nj-tjt dhe t’u sigurojë një jetë të qetë dhe në paqe.

EURO dështoi të arrijë dy parimet kryesore të saj, mirëqënien dhe integrimin politik. Këto synime tani janë më larg sec ishin përpara se të krijohej eurozona.

Në vend të paqes dhe harmonisë, tani shtetet e Europës e shohin nj-tjt me mosbesim dhe zemërim. Stereotipet e vjetra po rikthehen, Europa veriore dënon jugun si dembele dhe të pasigurtë dhe kujtimet mbi luftërat botërore dalin çdo ditë në pah.

Eurozona kishte të meta që në krijim. Struktura e saj, rregullat, parimet dhe institucionet që e qeverisin atë, duhet të fajësohen për përformancën e dobët në rajon duke përfshirë krizat e shumta.

Shumllojshmëria e Europës ka qenë fuqia e saj. Por, që një monedhë e vetme të funksionojë në një rajon me shumllojshmëri të panumurta ekonomike dhe politike nuk është e lehtë.

Një monedhë e vetme përfshin një normë fikse këmbimi ndërmjet shteteve dhe një normë interesi të vetme. Edhe nëse këto janë të programuara t’u përshtaten kushteve të pjesës më të madhe të shteteve, për ekonomi të ndryshme, duhet të jenë një grup institucionesh që duhet t’i ndihmojë këta shtete se cilat janë ato politika që nuk i’u përshtaten. Europa dështoi në krijimin e këtyre institucioneve, shpjegon edhe nobelisti Stiglits.

Me keq akoma, struktura e eurozonës e ndërtuar mbi disa ide rreth të cilave ishte projektuar suksesi ekonomik, për shembull, që Banka Qëndrore duhet të fokusohet tek inflacioni, në krahasim me Rezervat Federale në USA, të cilat përfshijnë papunësinë, rritjen dhe stabilitetin.

Nuk ishte thjesht që Eurozona nuk pati strukturën e duhur të përballohej me shumllojshmërinë ekonomike të Europës, ishte që struktura e Eurozonës, rregullat dhe parimet nuk ishin projektuar për të sjellë rritje ekonomike, punësim dhe stabilitet.
Për t’u kthyer prapë tek rasti i Kosovës dhe monedha EURO që kanë.

Në kushtet e sotme, të një situate të tillë ku importohet mbi 90% e produkteve të shportës ashtu si dhe lënda e parë e ndonjë industrie të lehtë nëse ka, EURO qëndron komode në Kosovë. Specialistët ekonomistë e kanë më të lehtë të mbrojnë kapjen ekonomike të shtetit të Kosovës duke e quajtur EURO-n si të vetmin instrument që funksionon.

Në një ekonomi të tillë, totalisht importuese produktesh dhe eksportuese krahu të punës është në favor të saj të ketë një monedhë të përbashkët me vendin eksportues.
Kështu që EURO jep impaktin e një monedhe të qëndrueshme në plan të parë.
Të vetmen tezë argumentimi kanë Inflacionin.

Ata kanë bindjen që Inflacioni nuk prek Kosovën sepse më parë do prekte vendet e zhvilluara europiane.

Kjo paranojë fallco është kthyer në ëngjëllin mbrojtës të EURO-s në Kosovë.
Inflacioni nuk ka të bëjë me forcën e monedhës dhe ndikimin e saj por me elasticitetin e shtetit për të reaguar ndaj rritjes së çmimeve.

Pra nëse rriten çmimet në proporcion të drejtë me pagat në Gjermani, nuk ka Inflacion.
Kosova inportuese do e blejë produktin me një çmim më të lartë se më parë ndërkohë që pagat janë në stanjacion. Në këtë rast Kosova ka inflacion por jo Gjermania.
Pra, inflacioni nuk është në bllok.

Çdo shtet ka norma të ndryshme inflacioni në varësi të politikave.

Por, sa realë dhe të ndershëm po tregohen mbrojtësit e hekurt të EURO-s me popullin e tyre?

Fatkeqësisht aspak!

Duke qenë se inportuesit më të medhenj të vendit kanë lidhje me parlamentarë të niveleve më të larta në Kosovë kërkojnë që të mos kenë kokëqarje të tjera si kursi i këmbimit, autonomi financiare, bankë bujqësore, ekonomi prodhimi etj.

Ata duan qe monopoli i importit te vazhdojë përjetësisht.

Prandaj paguajnë nën dorë dhe mbi dorë “intelektualë” apo profesionistë që të çojnë ujë në burimin e tyre.

Kjo lloj politike ka shkatërruar edhe atë pak prodhim vendas që ishte. Kontrolli i monopoleve të importit ka mbytur bizneset e vogla dhe të mesme.

Shumica janë mbyllur, të tjerë mbijetojnë në ujëra të turbullt. Është e pamundur për ta të konkurojnë me industri të mirëformuara dhe organizuara që për më tepër subvencionohen nga shtetet e tyre, në një treg që ka prirje të konsumojë sa më lirë.

Duke parë nivelin e pagave në Kosovë, shumica e popullsisë konsumon mallra zevendësues, që ofrohen me çmime më tê lira. Patriotizmi nuk shërben në rastet e mbijetesës ekonomike. Konsumatori medoemos do konsumojë miellin serb i cili i vjen më lirë si pasojë e politikave subvencionuese të shtetit të tyre kundrejt atij të Kosovës që del në treg me shpirt nëpër dhëmbë.

Çmimi e mposht cilësinë!

E gjitha kjo politikë antiprodhimi kombëtar çon në mbyllje të panumurta biznesesh, edhe të atyre që ofrojnë lëndë të parë. Sot pra, është e pamundur që në Kosovë të prodhosh një output me lëndë të parë vendase. Duhet patjetër të importosh.

Importi kontrollohet nga pak duar, të cilët kontrollojnë edhe politikat në vend.
Euro ua lehtëson punën.

Parashikoni një situatë të kundërt. Kosova të ketë prodhim masiv vendas (ka kushte tepër të favorshme gjeografike për t’a patur). Të eksportojë mallra bujqësore dhe industrial të lehtë.

Të ketë kontroll mbi nëntokën dhe t’a eksportojë vetë shteti i Kosovës për llogari të popullit shqiptar.

Vendet importuese do blinin prapë me Euro në Kosovë. Kosova nuk do ishte faktor përcaktues në çmimin e tregut.

Në këto kushte lind nevoja për të patur një monedhë autonome. Kosova e ka të gatshme nje monedhë që do ndihmonte në faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan. LEKU shqiptar.

Kjo nismë nuk mund të realizohet pa vullnetin dypalësh të qeverive shqiptare.

Të mos influencohen dhe shantazhohen nga oligarkët e importit. Të heqin si fillim doganat e turpit mes njëri tjetrit. Të hartojnë plane zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi për kompanitë e prodhimit. Të përmbushin nevojat bazë të popullit që shqiptarët të mos kenë nevojë të komsumojnë mbeturinat e fqinjëve.

Pasi të vendosin në jetë këto marrëveshje Kosova të përqafojë LEK-un shqiptar dhe çdo lloj strategjie ekonomike të bëhet në bashkëpunim për interes kombëtar.

Sot Lek-u nëpërkëmbet në Kosovë, nuk përfillet. Edhe pse qeveritë punojnë kundër shqiptarët blejnë dhe shesin ndër vedi. Tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës është e pashmangshme. Ajo vjen natyrshem. Është tregti mes një populli.

Edhe sot shkëmbimet tregtare zënë një vend të rëndësishem bilancet e dy vendeve.
Përpos përpjekjes individuale të popullit asgjë tjetër nuk funksionon në rrafshin politik.
Në asnjë bankë të nivelit të dytë në Kosovë nuk mund të blesh LEK-un shqiptar. Askush nuk jep shpjegim për këtë.

Kjo politikë e theksuar antikombëtare mes dy vendeve e ka lënë prodhuesin shqiptar këtej dhe matanë kufirit në kushtet e një tregtie mesjetare mes njëri tjetrit.

Për të arritur Bashkimin Kombëtar duhet më parë një Bashkim Ekonomik. Marrja e LEK-ut nga Kosova do ishte një fillim i mbarë në rrugën drejt bashkimit.